image Jeff Bezos kryen udhëtimin e parë në hapësirë me “Blue Origin”

Botë

Jeff Bezos kryen udhëtimin e parë në hapësirë me “Blue Origin”

news image

Miliarderi Jeff Bezos, së bashku me vëllain e tij dhe dy persona të tjerë, kreu pasditen e sotme një udhëtim me raketë të automatizuar, duke arritur një tjetër hap përpara në synimin e tij për të zhvilluar turizmin hapësinor.

Bezos, i vëllai Mark, së bashku me pionieren e aeronautikës 82-vjeçarja Wally Funk dhe studenti 18-vjeçar Oliver Daemen, u lëshuan me raketën tip “New Shepard” të kompanisë së tij “Blue Origin” që merret me turizmin hapësinor.

Lëshimi u krye rreth orës 15:00 në Van Horn të Teksasit.

Pas lëshimit drejt qiellit, raketa ndau nga trupi i saj kapsulën e ekuipazhit që kreu një fluturim prej rreth 11 minutash drejt Vijës Karman – vija ndërkombëtare e njohur si kufiri mes hapësirës dhe atmosferës tokësore, rreth 100 kilometra mbi nivelin e detit. Kapsula udhëtoi rreth dy-tre minuta në hapësirë, përpara se të niste zbritjen në tokë drejt shkretëtirës së Teksasit në Shtetet e Bashkuara, raporton euronews.al.

Funk u bë personi më i moshuar në botë që udhëton në hapësirë dhe i gjithë grupi, ekuipazhi i parë që udhëton me një anije kozmike pa drejtues.

Udhëtimi i sotëm ndodhi tetë ditë pasi miliarderi britanik, Richard Branson, kreu gjithashtu një fluturim të shkurtër në hapësirë. Mirëpo, ndryshe nga raketa e Branson, që drejtohej nga dy pilotë, “New Shepard” është krejt e automatizuar dhe përpara këtij fluturimi kishte kryer 15 prova pa ekuipazh apo prezencë njerëzish në bord.

Prej 12 prillit 1961, kur Yuri Gagarin kreu udhëtimin e parë drejt hapësirës – udhëtimi i tij zgjati rreth 1 orë e 48 minuta, – janë më pak se 570 persona që kanë mundur ta shohin Tokën nga aq lart.

Bezos, i njohur për themelimin e kompanisë Amazon, konsiderohet nga revista Forbes si një ndër personat më të pasur në botë me një pasuri prej më shumë se 200 miliardë dollarë.

Ai themeloi kompaninë “Blue Origin” në vitin 2000 dhe pak vite më pas bleu një sipërfaqe të konsiderueshme toke në Teksasin Perëndimor, ku kompania nisi të kryejë testet e para dhe sot rreth 20 vjet më pas, konkretizoi lëshimin e parë të suksesshëm./Gazeta Sinjali/