Në pikën kufitare në Jarinje, pasi qeveria e Kosovës dje ndaloi hyrjen e kamionëve me targa dhe mallrave nga Serbia, sot në Kosovë po hyjnë vetëm kamionët me targa RKS që nuk transportojnë produkte serbe, raporton mediumi serb Kosovo-Online.
Kamionët me targa të Serbisë nuk mund të kalojnë nëpër Kosovë as transit, ndërsa qarkullimi i udhëtarëve në Jarinjë po zhvillohet normalisht, me kontroll të shtuar të automjeteve dhe pasagjerëve.
Po ashtu, një numër i madh kamionësh me targa dhe mallra serbe janë kthyer në drejtim të Serbisë qendrore, ndërsa vetëm rreth njëzet prej tyre kanë mbetur dhe janë në pritje.
Autoritetet kosovare ndaluan hyrjen e kamionëve me mallra serbe dje pasi policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës në territorin e komunës së Rashkës.