Kryetari i Odës së Farmacistëve, Arianit Jakupi, ka sqaruar në detaje se si rrjedh procedura e regjistrimit të një vaksine për t’u zyrtarizuar në përdorim, duke iu referuar rastit të situatës me pandeminë.
Ai thotë se vaksinat antiCOVID, Pfizer, AstraZeneca dhe Moderna, janë të regjistruara në Agjencitë Botërore të Medikamenteve, ndaj s’duhet shfaqur dilema në aplikimin e tyre në mbrojtje ndaj koronavirusit, njofton Klan Kosova.
Sipas tij, hezitim duhet shfaqur në vaksinat ruse dhe kineze, të cilat akoma nuk janë të regjistruara.
”Flasim për proces rregullativ nëpër të cilin kalon një produkt medicinal, që neve na garanton sigurinë, efikasitetin dhe cilësinë e një produkti medicinal, përfshirë edhe vaksinat në këtë rast”.
”Produktet medicinale fillojnë studimet e tyre në laborator dhe kur mblidhet në një dosje, pastaj nëse në atë dosje ku në rast se të gjitha dalin pozitive, me atë dosje aplikohet për t’u regjistruar ai produkt medicinal, ku dëshmohet se benefiti i marrjes së një produkti, i një vaksine është më i madh sesa rreziqet që ajo vaksinë shfaq si efekte anësore. Por, me kaq nuk përfundon procesi”, tha ai.
Ai shtoi se ka disa vaksina që aktualisht po përdoren në disa vende të botës. Në nivel të agjencive kredibile botërore, janë të regjistruara vaksinat Pfizer, AstraZeneca dhe Moderna.
”Vaksinat ruse dhe kineze nuk janë të regjistruara në Agjencinë Botërore dhe ky është problemi pse ne hezitojmë që këto t’i marrim sepse është përgjegjësi e jashtëzakonshme që një Kryeshef i Agjensisë siç është tek ne AKPM-ja, përkatësisht edhe ministri i Shëndetësisë, të lejojë një produkt i cili nuk i ka dëshmuar këto studime klinike dhe paraklinike që janë bërë në popullatë”, tha ai. /Gazeta Sinjali/