Presidenti rus, Vladimir Putin, ka kërkuar falje pasi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë se lideri nazist, Adolf Hitler, ka pasur “gjak hebreu”, ka thënë Izraeli.
Putin ka kërkuar falje përgjatë një thirrjeje telefonike me kryeministrin izraelit, Naftali Bennett, ka thënë zyra e këtij të fundit përmes një deklarate.
Kremlini, në anën tjetër, vetëm ka thënë se të dy liderët kanë diskutuar për Holokaustin, mirëpo nuk ka përmendur faljen e Putinit.
Lavrov i ka bërë deklaratat fillimisht për të arsyetuar qëndrimin e Rusisë për Ukrainën “naziste”, pavarësisht faktit se presidenti i këtij shteti është hebre.
Lavrov ka folur për një televizion italian të dielën, disa ditë pasi Izraeli ka shënuar Ditën Përkujtimore të Holokaustit – një prej ngjarjeve më të rëndësishme në kalendarin izraelit.
Kur është pyetur si mund të pretendojë Rusia se është duke luftuar për të “denazifikuar” Ukrainën, kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është vetë hebre, Lavrov ka thënë: “Unë mund të jem gabim, mirëpo Hitleri ka pasur po ashtu gjak hebreu. (Që Zelensky është hebre) nuk do të thotë asgjë. Hebrenjtë e mençur thonë se anti-semitët më të mëdhenj janë zakonisht hebrenj”.
Këto komente kanë nxitur zemërim në Izrael.
Gjermania naziste ka vrarë gjashtë milionë hebrenj gjatë Holokaustit në Luftën e Dytë Botërore, raporton REL.
Izraeli ka bërë thirrje për kërkim-falje, dhe vetë Bennet ka thënë se “gënjeshtra si këto mëtojnë të fajësojnë hebrenjtë për krimet më të tmerrshme në histori”.
Në deklaratën e së enjtes, zyra e Bennetit ka thënë se ka pranuar kërkim-faljen e Putinit “dhe ka falënderuar atë për sqarim të qëndrimit ndaj popullit hebre dhe për kujtimin për Holokaustin”.