Boksieri shqiptar, Florian Marku ka që në gushtin e kaluar që nuk ndeshet në ring pasi iu nënshtrua një operacioni në dorë, raporton Sinjali Sport.
Së fundmi ai ka dalë me një njoftim ku ka bërë të qartë vazhdimin apo mosvazhdimin e karrierës së tij.
Ai si fillim falendëroi të gjithë që i qëndruan afër gjatë kësaj kohe.
“Përshëndetje të gjithë shqiptarët an e mban botës që më ndjekin edhe më përkrahin. Ju falenderoj nga zemra për të gjithë perkrahjen. Nuk kam boksuar që nga muaji gusht në ndeshjen në Shqipëri për shkak të një operacioni që bëra në dorë”, tha ai.
Marku gjithashtu u tregoi përkrahësve të tij se çfarë ka bërë gjatë kësaj kohe sa nuk mund të ngjitej në ring.
“Nuk jam mësuar duke qëndruar kaq gjatë dhe mos të jem aktiv, por jetës kurrë nuk dihet… Faleminderit Zotit për bekimet që më dha në këtë kohë që kam pushuar. Kam reflektuar shumë me gjithçka që ka ndodhur në jetën time, kam shpenzuar shumë kohë me familjen dhe e kam parë jetën ndryshe!! Faleminderit Zotit që më bekoi edhe me një vajzë para 10 ditësh. Kjo më shton akoma më shumë vullnetin për të dominuar divizionin e boksit që unë ndeshem!”, tha Marku.
Ndërsa, për të gjithë fansat e boksit, ai paralajmëroi kthimin e tij në ring.
“Këtë javë do publikohet data dhe kundërshtari i radhës. Mezi pres t’ju tregoj të gjithëve sa shumë kam punuar kësaj rradhe për të qenë në formën më të mirë! I Juaj”, thuhet në njoftimin e bokserit shqiptar, Florian Marku.