image Ismaili: Qeveria të vendosë tavanin e çmimit për testime në laboratorët privatë

Kosovë

Ismaili: Qeveria të vendosë tavanin e çmimit për testime në laboratorët privatë

news image

Ish-ministri i Shëndetësisë dhe sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Uran Ismaili, ka kritikuar Qeverinë Hoti dhe Ministrinë e Shëndetësisë, duke thënë se po ndihmojnë në pasurimin e oligarkëve e po varfërojnë qytetarët.

Ismaili ka reaguar pas raportimeve se në laboratorin privat në Prishtinë që është i licencuar për testime molekulare për Sars-COV2, një test PCR po kushton 200 euro.

Ai ka thënë se duhet të vendoset tavani i çmimit për testime në laboratorët privatë.

“Shëndetësia duhet të çlirohet njëherë e përgjithmonë nga monopolet dhe keqpërdorimet që pasurojnë oligarkët dhe varfërojnë qytetarët. Mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe e xhepit të tyre duhet të jetë parimi kryesor i të gjitha politikave shëndetësore. Për këtë arsye, hapi i radhës në ndalimin e zhvatjes në emër të shëndetit do të ishte vendosja e tavanit të çmimit për testime në laboratorët privatë”, ka shkruar Ismaili në Facebook.

“Për të mbrojtur qytetarin nga predatorët financiarë, para se të licencoheshin laboratorët privatë, Qeveria është dashur të vendoste tavanet e çmimeve për të gjitha shërbimet që ndërlidhen me pandeminë. Nuk duhet të lejojmë asnjë kompani, sado e fuqishme të jetë ajo, të pasurohet padrejtë në kurriz të pacientëve tanë. Shëndeti dhe mirëqenia e qytetarëve nuk mund të rrezikohet për shkak të interesave financiare të askujt”, ka përfunduar ai. /Gazeta Sinjali/