image Ismaili e priti fushatën për të nënshkruar listën e re të barnave esenciale

Kosovë

Ceremoni/ Ismaili e priti fushatën për të nënshkruar listën e re të barnave esenciale

news image

Ka shtatë vjet që lista e barnave esenciale, bazike për qytetarët që trajtohen në sektorin publik shëndetësor, nuk është reviduar.  
Në mungesë të shumicës prej këtyre barnave dhe materialit shpenzues medicinal, të cilat duhet t’i sigurojë shteti, qytetarët janë detyruar që t’i  sigurojnë vetë për vite të tëra.

Por, pas shtat vjet pritjesh, lista e re e barnave esenciale u revidua edhe pse revidimi i saj duhet te bëhet për çdo vit.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismajli, tani kandidat për deputetë në listën e PDK-së, duket se e ka kalkuluar mirë kohën për nënshkrimin e listës së reviduar të barnave të listës esenciale.

Në një ceremoni të veçantë, në prani të shefit të tij, Kadri Veselit, farmacistëve, punëtorëve shëndetësor e shumë mysafirëve të tjerë, Ministri i Shëndetësisë në detyrë, Uran Ismaili, sot nënshkroi listën e re të barnave esenciale, duke e cilësuar këtë moment si një ditë të madhe dhe emocionale për të.

“Kur e filluam revidimin e listës esenciale, e nisëm si një proces që e kemi për detyrë me bë. Ajo që e kuptuam  gjatë rrugës, është se nuk ishte një proces i thjeshtë, sepse ngërthente në vete nevojat e mijëra e mijëra qytetarëve, përbënte një mbulesë financiare të cilën familjet në Kosovë e kishin kërkuar një kohë të gjatë dhe që ishin privuar nga e drejta që t’i merrnin ato barna të cilat shteti duhet tua jepte. Sot jam shumë i lumtur që pas shtatë viteve, ju kthejmë një mundësi  familjeve të prekura nga sëmundje të ndryshme, që t’ua japim këto barna”, tha Ismaili.

Ai theksoi se lista e re e barnave esenciale hynë në zbatim që nga sot.

“Lista hynë në fuqi sot, lista nuk do të rri në letër asnjë ditë. Kjo listë ka mbi 100 barna të reja, për trajtime të sëmundjeve të kancerit e sëmundje të tjera të rënda. Kjo listë është e përpiluar me standardeve ndërkombëtare, është listë që u takon profesionistëve shëndetësor dhe qytetarëve tanë dhe nuk ju takon interesave ekonomike. Kjo është listë që do të ketë një buxhet të fuqishëm pas vetës, është një premtim që do ta mbajmë, do ta blejë secilin bari që është në atë listë që ju ta keni për nevoja e juaja”, ishte premtimi i Ismailit.

Edhe pse i ka mbetur shumë pak kohë në këtë post, Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismili, tha se bëhet garant se nuk do të lë asnjë mundësi abuzimi me listën e barnave esenciale, siç ka pasur në të kaluarën.

Ai tha se ka bërë një luftë të ashpër kundër abuzimit të barnave dhe se janë kursyer fonde që janë kthyer në interes të nevojave të pacientëve.

Në këtë ceremoni, e mori fjalën edhe kreu i PDK-së, njëherësh kandidat për kryeministër, Kadri Veseli, i cili as këtë radhë nuk e la pa folur për luftën e tij që i ka shpallë korrupsionit.

“Urani dhe të gjithë politikanët duhet me qenë të pakorruptuar. Duhet një sistem transparent, me qenë afër njerëzve, sepse tek e fundit kjo është arsyeja pse është krijuar shteti, shteti është krijuar për t’iu dhënë mundësi të barabarta të gjithë qytetarëve”, tha Veseli.

Lista e re e barnave esenciale, është mirëpritur nga punëtorët shëndetësor, në të cilën listë, siç u tha, janë rreth 100 barna të reja për sektorin e shëndetësisë publike, si dhe gjenden edhe barna për Onkologji dhe sëmundje të rralla./Gazeta Sinjali/