Tomor Morina, ish-ushtar i UÇK-së, nuk do të dorëzohet në Serbi. Gjykata Penale e Shkupit thotë se nuk janë përmbushur kushtet lidhur me kërkesën e Beogradit për ekstradim.
Nga gjykata shtojnë se lënda për shqyrtim të mëtejshëm do të dërgohet në Gjykatën Supreme. Ndërkaq masa e paraburgimit ndaj Morinës do të vlejë derisa ky vendimi të vërtetohet në Gjykatën Supreme.
Jurisit Fadil Xhelili thotë se institucionet vendase me urgjencë duhet të veprojnë në raste të tilla të ekstradimit. Sipas tij, vendimet jo adekuate të organeve të drejtësisë së Maqedonisë, mund të irritojnë Prishtinën zyrtare, duke çuar në ftohjen e marrëdhënieve diplomatike.
“Procedura për ekstradimin e Tomor Morinës, mund të thuhet se është duke u stërzgjatur duke pasur parasysh edhe elementin politik që e ka në vete dhe ndikimin eventual të politikës. Ministria e Drejtësisë dhe gjykatat duhet të përfillin afatet dhe sa më të shpejtë t’i kryejnë të gjitha procedurat e parapara, sepse si procedurë është me urgjencë në veprimet e organeve kompetente. Dimensioni politik i këtyre procedurave nuk mund të anashkalohet. Unë nuk besoj se Maqedonia do të merr një vendim për ta ekstraduar, sepse me siguri do të ndikonte dukshëm në ftohjen e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve fqinje”, tha Xhelili.
Morina për më shumë se dy javë po qëndron në paraburgim në Shutkë, ndërsa ishte arrestuar nga policia maqedonase në vendkalimin kufitar Bllacë, në bazë të një fletë-arresti të lëshuar nga INTERPOL-i, me kërkesë të Serbisë. Morina ka shtetësi të dyfishtë, atë të Britanisë së Madhe dhe Kosovës. Ai akuzohet nga Serbia për “krime lufte” gjatë konfliktit në Kosovë./Sinajli/