image Ish-punonjësja e Senatit e akuzoi për sulm seksual, Joe Biden pritet të flasë për herë të parë

Botë

Botë/ Ish-punonjësja e Senatit e akuzoi për sulm seksual, Joe Biden pritet të flasë për herë të parë

news image

Joe Biden, kandidati potencial i demokratëve për garën për president të SHBA-së pritet të flasë për herë të parë të premten duke adresuar personalisht akuzën e bërë nga një ish-ndihmëse e tij në Senat, e cila e ka akuzuar se ai e ka sulmuar seksualisht në vitin 1993, një akuzë që zyrtarët e fushatës së zotit Biden e kanë hedhur poshtë.

Zoti Biden është planifikuar të intervistohet në lidhje me këtë çështje gjatë programit të rrjetit kabllor MSNBC “Morning Joe”, sipas njoftimit në Twitter të enjten të vetë rrjetit. Zyrtarët e fushatës së zotit Biden nuk i janë përgjigjur kërkesave të shtypit për një koment rreth intervistës. Ndihmësit e fushatës së tij kanë thënë se incidenti nuk ka ndodhur kurrë, por zoti Biden ka qëndruar në heshtje lidhur me këtë cështje. Të mërkurën kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, demokratja më e lartë në Kongres, i bërë një mbrojtje të fuqishme zotit Biden, duke theksuar historinë e gjatë të ish-Nënpresidentit në mbështetje të politikave që synojnë të ndalin abuzimin me gratë.

Plani për një intervistë vjen ndërsa disa demokratë i kanë kërkuar 77 vjeçarit Joe Biden, t’i përgjigjej direkt akuzës.
Tara Reade, një grua nga Kalifornia, e cila ka punuar si asistente e stafit në zyrën e zoti Biden në Senat nga dhjetori 1992 deri në gusht 1993, e ka akuzuar zotin Biden në intervista mediake se në vitin 1993 e ka përplasur atë në mur, i ka ngritur fundin dhe futur duart brenda saj.

Zoti Biden pritet të jetë kandidati përballë Presidentit republikan Donald Trump, 73 vjeç, në zgjedhjet e 3 nëntorit. Zoti Trump është akuzuar nga më shumë se 12 gra për sulme seksuale e sjellje të pahijshme ndër vite, akuzat që ai dhe ndihmësit e tij i kanë mohuar.

“Unë mendoj se ai duhet të përgjigjet” tha zoti Trump për zotin Biden në një konferencë për mediat të enjten. “Mund të jenë akuza të rreme. Dhe unë di gjithçka mbi akuzat e rreme”, shtoi ai.

Zonja Pelosi, e cila e mbështeti zyrtarisht zotin Biden të hënën për garën për president, vuri në dukje se personeli që drejtonte zyrën në Senat të zotit Biden, ka thënë se nuk kujton të kishte pasur ndonjë ankesë për sulm seksual.

“Kam respekt të plotë për gjithë lëvizjen #MeToo”, tha zonja Pelosi në një konferencë shtypi. “Por gjithashtu duhet të ketë një proces të drejtë edhe për faktin që Joe Biden është Joe Biden. Ai është personifikim i shpresës, optimizmit dhe origjinalitetit në vendin tonë, një person me vlera të mëdha”, shtoi zonja Pelosi.

Agjencia “Reuters” nuk ka mundur të konfirmojë në mënyrë të pavarur akuzën e zonjës Reade dhe as të kontaktojë me atë apo ndonjë përfaqësues të saj për komente të mëtejshme.

Disa media që kanë botuar rrëfimin e zonjës Reade, përfshirë “New York Times” dhe “Washington Post”, kanë intervistuar një mik të saj, e cila ka thënë se zonja Reade i ka treguar asaj për sulmin e dyshuar në atë kohë. Një mikeshë tjetër i tha “Times” se zonja Reade i kishte treguar në 2008 në lidhje me një incident të mëparshëm traumatik që përfshinte zotin Biden. Vëllai i zonjës Reade gjithashtu ka konfirmuar pjesë të rrëfimit të saj për “The Intercept” dhe “Washington Post”.

Të hënën, faqja informative “Business Insider” publikoi një intervistë me një ish-fqinje, sipas së cilës zonja Reade i kishte thenë asaj në mesin e viteve 1990, se zoti Biden i kishte futur gishtat brenda saj. Zonja Reade, 56 vjeç, u ka thënë gazetarëve që e kanë intervistuar se ajo ishte ankuar në atë kohë për ngacmim seksual dhe jo për sulm seksual, tek tre prej ndihmësve në Senat të zotit Biden. Zyrtarët e fushatës së zotit Biden lëshuan një deklaratë nga Marianne Baker, e cila tha se ajo kurrë nuk kishte pasur ndonjë raport për ndonjë sjellje të papërshtatshme në rreth 20 vite punë me zotin Biden. “Washington Post” dhe “Times” kanë intervistuar edhe dy ndihmës të tjerë dhe të dy u thanë gazetave, se nuk u kujtohej ndonjë ankesë e bërë nga zonja Reade.

Tara Reade është një nga tetë gratë që vitin e kaluar dolën publikisht dhe thanë se zoti Biden i kishte përqafuar, puthur ose prekur ato një mënyrë që i kishte vënë në siklet, asnjëra prej tyre nuk e ka akuzuar zotin Biden për sulm seksual. Zonja Reade e akuzoi publikisht zotin për sulm seksual në muajin mars. Disa gra demokrate, me pozita drejtuese në parti e kanë mbrojtur publikisht zotin Biden. Të tjera i kanë kërkuar që të përgjigjet rreth akuzës.

“Nuk mund të duket sikur ajo po shpërfillet vetëm sepse është një e vërtetë e pakëndshme për njerëz të caktuar në Partinë Demokratike”, tha Nina Turner, e cila punoi si bashkëkryetare e fushatës kombëtare për president të senatorit Bernie Sanders. Ky i fundit u tërhoq nga gara duke shprehur mbështetjen e hapur për zotin Biden./ Gazeta Sinjali/