image Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese për masat e reja: Kjo është tërësisht anti-kushtetuese - Sinjali

Reagim/ Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese për masat e reja: Kjo është tërësisht anti-kushtetuese

news image

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se Qeveria e Kosovës, me marrjen e masave të reja me kufizimin e lëvizjes së qytetarëvem ka shkelur përsëri kushtetuën e vendit.

Hasani thotë se ky vendim i Ministrisë së Shëndetësisë është në kundërshtim të plotë me Gjykatën Kushtetuese dhe vendimin e saj.

“Kjo do të thotë është tërësisht anti kushtetuese dhe kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sepse Gjykata Kushtetuese e ka bërë jashtëzakonisht të qartë që Ministria e Shëndetësisë mund të bëjë kufizime të lirive dhe të drejtave të njeriut për aq sa ka autorizime ligjore të Ligjit për Shëndetësinë dhe Ligjin për parandalimin e Sëmundjeve Infektive. Do të thotë këta mund ti fusin në karantinë persona dhe hapësira të cilat janë të infektuara, një nga një, komuna, hapësira, lagje të caktuara, e tjera”, tha Hasani.

Sipas Hasanit, ky është derogim i lirive dhe të drejtave kushtetuese, shkruan Gazeta Sinjali.

“Kjo mënyrë që u tha është tërësisht kundër kushtetuese dhe kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sepse është gjendje e jashtëzakonshme efektivisht dhe është derogim nga liritë dhe të drejtat kushtetuese sipas nenit 56. Derogim, nuk është kufizim, ky është derogim i lirive dhe të drejtave kushtetuese sipas nenit 56. Është uzurpim i pushtetit, tërësisht në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Hasani.

Ministria e Shëndetësisë ka prezantuar pak orë më parë masat e reja rreth kufzimit të lëvizjes së qytetarëve të Kosovës, për të parandaluar përhapjen e virusit Covid-19.

Lëvizja e qytetarëve do të lejohet vetëm një orë e gjysmë në ditë, duke e caktuar orarin bazuar në numrin personal të qytetarëve./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin