Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Andin Hoti, është shëruar nga COVID-19, shkruan Gazeta Sinjali.
Hoti ka thënë se pas dy javësh betejë të rëndë me virusin COVID-19, tashmë është shëruar plotësisht.
Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ish-deputeti ka përshkruar disa nga simptomat që ka pasur gjatë kohës sa ka qenë i infektuar, ndërsa ka shtuar se efekti psikologjik ka luajtur rol të rëndësishëm në shëndetin e tij.
“Është praktikë që të ndaj me ju simptomat dhe ballafaqimin: Qysh në fillim kam pasur vështirësi në frymëmarrje, e shoqëruar me kollë dhe humbje të tërsishme të shijes dhe nuhatjes. Mbi të gjitha, sipas mendimit tim efekti psikologjik ka luajtur rol të madh në shëndetin tim, si për t’mirë si për t’keq. Prandaj kushdo që po ballafaqohet me këtë virus, apo kushdo që e ka dikënd të afert me këtë virus, të keni kujdes në informatat e paverifikuara, fokusohuni vetëm në informatat e organeve kompetente për këtë virus”, ka shkruar Hoti.
Ai po ashtu ka falenderuar personelin mjekësor dhe të gjithë familjarët e miqtë që i kanë qëndruar pranë gjatë kësaj kohe. /GazetaSinjali/