Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka folur rreth bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje për koalicionin e mundshëm qeverisës.
Ai në RTV21 ka deklaruar se LDK-ja shkon në opozitë në rast se nuk arrihet marrëveshja me Vetëvendosjen duke e lënë si mundësi të hapur dështimin e një marrëveshje.
“Nëse nuk arrihet, LDK shkon në opozitë, por në asnjë rast nuk shkon me subjekte të tjera, nuk do të shfrytëzojmë asnjë rrugë tjetër, asnjë koalicion tjetër, nëse gjejmë zgjidhje me Vetëvendosjen. Vet fakti që ne po zhvillojmë negociata, kjo tregon se puna nuk është kryer, mirëpo kur zhvillon negociata atëherë s’mund të shpallësh të kryer punën sepse njerëzit mund të thonë gjithfarë. Këtu s’mund të ketë fitues, ose dy palët do të jenë fituese, ose nuk do të kemi marrëveshje”.
Ai ka thënë po ashtu se me Vetëvendosjen nuk kanë diskutuar rreth ndarjes së ministrive derisa ka shtuar se ministritë nuk do t’i ndajnë sipas fushave të caktuara.
“Nuk kemi biseduar me Vetëvendosjen, unë kam parë deklarata të ndryshme, shkrime të ndryshme se cila ministri duhet t’i takojë cilës parti, por këto janë më tepër çështje dëshirash sepse duhet të ulemi dhe të mendojmë se duhet ta marrim përgjegjësinë proporcionale dhe nuk do ta parapëlqej një orientim që një parti ta merr një fushë të caktuar dhe partia tjetër fushën e caktuar sepse atëherë bëhen dy qeveri brenda një qeverie. Kësaj sa i përket se kush sa ka kërkuar, nuk kemi të vërteta sepse unë nuk kam kërkuar asnjë ministri nga VV e as VV nuk ka kërkuar”.
Më tutje, Mustafa është shprehur se sipas peshës që ka pozita e kryeministrit, LDK-së duhet t’i takojnë më shumë ministri./Gazeta Sinjali/