Lidhja Demokratike e Kosovës në raundin e parë të zgjedhjeve ka fituar dy komuna, ndërkaq ka shkuar në balotazh në nëntë tjera. Për ish-kryetarin e kësaj partie, Isa Mustafën, këto zgjedhje janë “Referendumi i dytë” brenda një viti, apo siç e quan ai “Referendum që e rrëzoi atë të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit”.
Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 17 tetorit e nxjerrin LDK-në fituese në Komunën e Pejës dhe të Lipjanit.
Kandidatët e LDK-së në Prishtinë, Podujevë, Gjilan, Fushë Kosovë, Vushtrri, Viti, Istog, Junik dhe Dragash, do të përballen në raundin e dytë të zgjedhjeve, pasi nuk kanë arritur ta sigurojnë fitoren “me të parën”.
Për ish-liderin e LDK-së, Isa Mustafën, zgjedhjet e 17 tetorit janë “Referendumi i dytë” gjatë këtij viti.
Në një prononcim për Gazetën Express, Mustafa ka deklaruar se këto zgjedhje kanë dëshmuar paqëndrueshmërinë e rezultateve nga zgjedhjet e përgjithshme.
“Ishte ky “Referendumi i dytë” gjatë këtij viti. Ose Referendum që e rrëzoi referendumin e Albinit dhe Vjosës. Në fakt këto zgjedhje dëshmuan paqëndrueshmërinë e rezultateve nga zgjedhjet e përgjithshme dhe e vunë në dyshim të plotë bazueshmërinë e këtij rezultati”, ka deklaruar Mustafa.
Ish-kreu i LDK-së thotë së është fatale që Lëvizja Vetëvendosje dhe lista “Guxo” të mos e fitojnë asnjë komunë.
“Është fatale që VV me Guxo brenda saj të mos e fitojnë asnjë komunë, duke ndenjur ulur në Presidencë, Qeveri dhe Parlament!?”, ka deklaruar Mustafa.
Mustafa deklaron se është pritur të fitohen më shumë komuna në raund të parë, por sipas tij, janë krijuar kushtet që ato të fitohen me balotazh.
Ai shprehet i bindur se kandidati i LDK-së në Prishtinë, Përparim Rama, do ta mposhtë Arben Vitinë e Lëvizjes Vetëvendosje.
Mustafa thotë se LDK do të fitojë edhe në Podujevë.
“LDK u tregua vitale në këto zgjedhje. Disa votues konfirmuan se mund të mashtrohen për një kohë të shkurtër por jo gjatë. Është pritur të fitohen më shumë komuna në këtë raund por janë krijuar kushtet që ato të fitohen me balotazh. Jam i bindur se do të fitohet edhe Prishtina, edhe Podujeva dhe komunat që i ka pasur më herët LDK. LDK ka kuadro të mrekullueshme në komuna, ka përkushtim dhe përgjegjësi”, ka deklaruar Mustafa.
Ndryshe, raundi i dytë i zgjedhjeve lokale pritet të mbahet më 14 nëntor të këtij viti.
Nga të dhënat e deritanishme të KQZ-së, 21 komuna do të shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë.