image Irani i jep lamtumirën Khameneit me ceremoni pesëditore

Botë

Irani i jep lamtumirën Khameneit me ceremoni pesëditore

news image

Edhe funerali i Khomeinit u shoqërua me skena kaotike, kur mijëra pjesëmarrës u vërsulën drejt arkivolit të themeluesit të Republikës Islamike, duke bërë që trupi i tij, i mbështjellë me qefin, të binte jashtë arkivolit. Organizatorët pa dyshim do të duan të shmangin përsëritjen e një incidenti të tillë.

Pasojat e sundimit të Khameneit

I gjithë organizimi i ceremonisë nuk mund ta fshehë plotësisht atë që sundimi i Khameneit nënkuptoi për njerëzit të cilëve tani u kërkohet ta vajtojnë.

Për më shumë se tri dekada, ai qëndroi në krye të një sistemi që çdo zë kritikë e trajtonte si pjesë të një komploti të huaj dhe i përgjigjej me forcë vdekjeprurëse – nga Lëvizja e Gjelbër e vitit 2009, te trazirat Grua, Jetë Liri e vitit 2022 e deri te vala vdekjeprurëse e protestave që shpërtheu vetëm disa javë para fillimit të luftës.

Prandaj nuk është për t’u habitur që familjet e protestuesve të vrarë nga forcat e sigurisë e pritën me gëzim vdekjen e Khameneit gjatë luftës, pavarësisht se konflikti kishte përhapur frikë dhe ankth në shoqëri.

“Ndjeva se drejtësia kishte triumfuar mbi shtypjen”- tha për Radion Farda Moslem Haqiqi, djali i të cilit, Milan Haqiqi, u vra në vitin 2022. “Kjo solli njëfarë ngushëllimi për plagët që kishin rënduar zemrën time për vite me radhë”.

Megjithatë, disa argumentojnë se vdekja e Khameneit nga sulmi ndaj rezidencës së tij i dha Republikës Islamike mundësinë ta paraqesë atë si një figurë të shenjtëruar dhe të përpiqet të rikthejë një pjesë të legjitimitetit të saj të rrënuar përmes një funerali edhe më madhështor se ato të mbajtura për ajatollah Ruhollah Khomeini apo Qassem Soleimani.

Rahmani e cilësoi vetë luftën si një fatkeqësi për opozitën politike të Iranit.

“Në fakt, kjo luftë i bëri shumë përpjekje më pak efektive, e dobësoi ndjeshëm shtresën e mesme të Iranit dhe të paktën për momentin, regjimi ka rivendosur autoritetin dhe frikën”- tha ai. Megjithatë, sipas tij, ky dominim është i brishtë dhe mund të shembet nëse forcat opozitare kanë strategjinë e duhur.

Vëmendja te Mojtaba

Pikëpyetja më e madhe gjatë kësaj jave është nëse udhëheqësi i tretë suprem i Iranit do të shfaqet në publik.

Mojtaba Khamenei nuk është parë në publik që nga fillimi i luftës në shkurt. Që prej emërimit të tij nuk është publikuar asnjë video, audio-incizim apo fotografi e re: janë bërë publike vetëm deklarata me shkrim, të lexuara në televizionin shtetëror.

Madje edhe vjehrri i tij, Gholam Ali Haddad Adel, ka deklaruar publikisht se nuk ka pasur asnjë kontakt me të dhe nuk ka asnjë informacion për gjendjen e tij që para e të niste lufta. Mojtaba nuk mori pjesë as në funeralin e bashkëshortes së tij më 02.07.2026, e cila u vra në të njëjtin sulm ku u vra edhe babai i tij.

Zyrtarët që po organizojnë ceremoninë mortore kanë refuzuar të thonë nëse ai do të marrë pjesë.

Nëse ai shfaqet në publik, momenti më i rëndësishëm nuk do të jetë thjesht prania e tij mes turmës, por nëse ai do ta udhëheqë vetë namazin për varrimin e të atit. Disa vëzhgues besojnë se Mojtaba mund ta marrë përsipër këtë rol nëse merr pjesë në ceremoni, megjithëse zyrtarët nuk kanë dhënë asnjë sinjal se kjo do të ndodhë. Nëse ai shfaqet në ballë të ceremonisë për të udhëhequr faljen e namazit për të atin, do të ishte gjëja më e afërt e marrjes publike të pushtetit./REL

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/