Ministria e Jashtme e Iranit i cilësoi deklaratat e shefit të NATO-s, Mark Rute, që tha se Shtetet e Bashkuara kanë përdorur disa baza ushtarake të aleancës në Evropë në luftën me Iranin si “pranim” të “bashkëfajësisë” në konflikt dhe kërkoi llogaridhënie.
Komentet e sekretarit të Përgjithshëm, Mark Rutte, që ishin në përgjigje ndaj kritikave të presidentit amerikan, Donald Trump, për mungesën e bashkëpunimit të NATO-s në fushatën ushtarake të Uashingtonit ndaj Teheranit, janë “pranim i bashkëfajësisë së organizatës në kryerjen e agresionit ushtarak kundër një shteti të pavarur”, tha ministria iraniane.
Rutte tha se gjatë luftës, që nisi me sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt, anëtarët evropianë të NATO-s bashkëpunuan me SHBA-në dhe 4.000 deri në 5.000 fluturime operacionale të ushtrisë amerikane u kryen nga bazat evropiane, përfshirë nga Italia.
Zyrtarët italianë e hodhën poshtë këtë pretendim, duke thënë se e kishin lejuar SHBA-në të përdorë bazat e vendit vetëm për fluturime logjistike dhe mbështetëse, në përputhje me angazhimet dypalëshe me Uashingtonin, dhe se nga territori italian nuk ishte kryer asnjë operacion sulmues.
Disa nga aleatët evropianë të SHBA-së, përfshirë Italinë dhe Spanjën, e kundërshtuan hapur luftën, ndërsa të tjerë, si Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca, mbajtën një qëndrim më të kujdesshëm dhe shmangën përfshirjen në konflikt, çështje kjo që e zemëroi shumë presidentin Trump.
Pasi nisi lufta, SHBA-ja dhe Irani arritën një armëpushim të brishtë në prill. Ndërkaq, më herët gjatë këtij muaji palët nënshkruan një memorandum mirëkuptimi – marrëveshja e parë e këtij lloji mes Uashingtonit dhe Teheranit që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
Memorandumi parasheh një periudhë 60-ditore që palët të arrijnë një marrëveshje të përhershme paqeje. SHBA-ja ka thënë se nuk do të lejojë që Republika Islamike të ketë armë bërthamore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!