Shefi i Gardës Revolucionare të Iranit ka premtuar sot një “përgjigje vendimtare” për Amerikën nëse kryhen kërcënimet e presidentit Donald Trump për shkatërrimin e anijeve luftarake iraniane në Gjirin Persik.
“Ne u themi amerikanëve se jemi absolutisht të vendosur dhe seriozë që çdo veprim do të përmbushet me një përgjigje vendimtare që do të jetë efektive dhe e shpejtë,” tha gjenerali Hosein Salam në një deklaratë të transmetuar nga televizioni shtetëror, raporton AFP.
Dje, presidenti amerikan urdhëroi në një mesazh në Twitter Marinën e SHBA-së që të shkatërrojë anijet patrulluese iraniane që ndërhyjnë me ato amerikane.
Salam tha sot se kanë lëshuar një urdhër për të qëlluar anijet luftarake amerikane nëse këto të fundit kërcënojnë anijet iraniane.
Marina e SHBA-së njoftoi javën e kaluar se 11 anije patrulluese iraniane iu afruan një anije luftarake amerikane, për të cilat marina vlerësoi se ishte një qasje “e rrezikshme dhe shqetësuese” në Gjirin Persik.
Amerikanët thanë që ata përdorën një shumëllojshmëri të mjeteve jo luftarake për të paralajmëruar anijet iraniane, të cilat u larguan pa incidente, raporton AP.
Si përgjigje, Trump tha se kishte lëshuar një urdhër për të shkatërruar anijet iraniane që kërcënojnë anijet amerikane.
Irani i ka bërë thirrje veçmas ambasadorit të Zvicrës, i cili përfaqëson interesat e SHBA në Teheran të ankohet për kërcënimin e Trumpit, të paraqitur pas disa muaj përshkallëzimi të marrëdhënieve midis dy shteteve.