image IPK nis hetimet ndaj zyrtarit policor që argëtohej gjatë orës policore në Gjakovë, ku pati të shtëna me armë

Siguri

IPK nis hetimet ndaj zyrtarit policor që argëtohej gjatë orës policore në Gjakovë, ku pati të shtëna me armë

news image

Gazeta Sinjali raportoi më 25 nëntor se në fshatin Nivokaz të Gjakovës, në një lokal pati të shtëna me armë, ku ishin mbledhur mbi 20 persona gjatë orës policore, në mesin e tyre edhe zyrtari policor Xhafer Krasniqi, duke shkelur kështu vendimet e Qeverisë.

Sinjali po ashtu raportoi me burime se njëri nga personat që shtiu me armë brenda lokalit mund të jetë edhe zyrtari policor.

Lidhur me këtë rast, Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar për Gazetën Sinjali se kanë filluar hetimet preliminare.  

“IPK është njoftuar lidhur me rastin i cili është raportuar të ketë ndodhur më datën 24.11.2020  në rrugën ” Osman Tafa” në një lokal në fshatin Nivokaz.

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e saj kanë filluar një hetim preliminar  dhe veprimet tjera do të ndërmerren në përputhje me mandatin ligjor të IPK-së”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për Gazetën Sinjali.

Zyrtari policor, Xhafer Krasniqi, më 24 nëntor, në vend të denoncimit e intervenimit, zgjodhi të argëtohej në këtë lokal ku argëtonte këngëtari Muhamet Sejdiu.

Gazeta Sinjali publikoi edhe pamjet ku shihej zyrtari policor në tavolinën e mbushur me meze e raki, me dhjetëra persona, të cilët u argëtuan edhe me përdorimin e armës.

Në këtë lokal gjatë inspektimit të Policisë, në të cilin dyshohet se pati edhe persona nën ndikimin e alkoolit, intervenoi edhe Njësia e Reagimit të Shpejtë e PK-së.

/GazetaSinjali/