image Intervistë me Qëndron Kastratin, një javë pas mega-aksionit në Karaçevë, cili ishte roli i Komunës së Kamenicës

Kosovë

Intervistë me Qëndron Kastratin, një javë pas mega-aksionit në Karaçevë, cili ishte roli i Komunës së Kamenicës

news image

Prokuroria Themelore në Gjilan, Inspektorati Policor i Kosovës dhe Policia e Kosovës, si rrjedhojë e një aksioni të përbashkët të zhvilluar sot një javë në fshatin Karaçevë të komunës së Kamenicës, kanë arritur të prangosin mbi 30 persona, në mesin e tyre edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës, të dyshuar për përfshirje në veprimtari të ndryshme ilegale.

Për një kohë të gjatë zona e Karaçevës u bë ‘simbol’ i kazinove dhe veprimtarive të tjera ilegale, madje aty u ndërtuan edhe objekte për ushtrimin e këtyre veprimtarive.

Por, a kishte informacione Komuna e Kamenicës se çfarë po ndodhte në Karaçevë, cili ishte roli konkret i komunës në këtë aksion, si duket sot Karaçeva, si dhe për çështje të tjera, flet në një intervistë me shkrim për Gazetën Sinjali, Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Në vijim mund të lexoni intervistën e plotë:

Gazeta Sinjali: Të premten e kaluar u prangosën mbi 30 persona të dyshuar për veprimtari ilegale në zonën e Karaçevës. A ka pasur informacione Komuna e Kamenicës se në atë zonë po organizoheshin lojëra bixhozi, prostitucion, kontrabandim me mallëra etj?

Kastrati: Ne kemi qenë të informuar se në atë pjesë janë duke operuar veprimtari ilegale e lojërave të fatit, por jo edhe veprimtaritë e tjera ilegale. Ne nuk kemi mundur të ndërhyjmë për shkak të Marrëveshjes së Kumanovës së vitit 1999. Në këtë marrëveshje është bërë një gabim dhe nga kjo marrëveshje për të hyrë në këtë pjesë duhet leje e veçantë nga KFOR-I, edhe pse është në zonën kadastrale të Komunës së Kamenicës. Ne e kemi ngritur këtë shqetësim edhe tek institucionet qendrore të Republikës së Kosovës me dhjetra herë. Është i njohur ky problem që nga paslufta dhe sidomos banorët e këtij lokaliteti kanë protestuar vazhdimisht duke e mediatizuar këtë çështje.

Gazeta Sinjali: Natën kur u zhvillua mega-aksioni i policisë ju ishit prezent në vendin e ngjarjes, aty janë parë edhe mjetet e rënda të punës teksa rrënonin kazinotë dhe objektet e tjera në atë zonë, a besoni se me këtë aksion kanë marrë fund veprimtaritë kriminale atje?

Kastrati: Aksioni i Prokurorisë, Inspektoratit Policor dhe Policisë së Kosovës, është një nga veprimet më të mëdha që nga paslufta në Kamenicë,  gjë që ndikon dukshëm në kthimin e besimit në fuqinë e shtetit dhe institucioneve tona. Mesazhi ishte i qartë dhe ne shpresojmë por edhe besojmë që nuk ka më hapësirë për rikthimin e veprimtarive të këtilla.

Gazeta Sinjali: A keni bashkëpunuar gjatë kësaj kohe me organet e rendit për ta raportuar krimin e organizuar në Karaçevë dhe cili ka qenë roli konkret i komunës në këtë aksion?

Kastrati: Si komunë, ne kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë. Ne kemi asistuar në bazë të mandatit tonë, kurse hetimet dhe aksioni është bërë nga ta. Siç edhe mund ta dini aty ka pasur ndërtime ilegale, ku edhe janë zhvilluar ato aktivitete të jashtëligjshme dhe e gjithë kjo hyn në kompetencat e komunës. Si komunë edhe më herët kemi paraqitur kërkesë tek organet kompetente për të vepruar në bazë të asaj se çka është në mandatin tonë, pra rrënimin e tyre, por më pas na është sqaruar se është duke u bërë një hetim më i madh.

Gazeta Sinjali: A kanë ndikuar negativisht këto veprimtaritë ilegale në mirëqenien sociale dhe sigurinë e banorëve të asaj zone dhe si është gjendja sot në Karaçevë?

Kastrati: Normalisht që situata e krijuar në Karaçevë ka ndikuar dukshëm edhe tek banorët sepse kanë qenë të shqetësuar dhe të frikësuar, por gjendja tani atje është e qetë dhe banorët po ndihen më të sigurtë.

Gazeta Sinjali: A ka ndonjë tjetër lokacion në territorin e Kamenicës, në të cilin dyshohet për ushtrimin e veprimtarive ilegale, nëse po, a e keni raportuar në polici?

Kastrati: Nga informatat që kemi, në Kamenicë nuk ushtrohet një veprimtari tjetër ilegale, pra çështja e Karaçevës ka qenë rasti i vetëm i kësaj përmase. /Gazeta Sinjali/