Zyrtare/ Inspektorati Policor konfirmon suspendimin e dy zyrtarëve të Njësive të Specializuara të Policisë

news image

Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar për Gazetën Sinjali se ka rekomanduar suspendimin e dy policëve lidhur me rastin e përleshjes së armatosur që ka ndodhur më 9 nëntor, në afërsi të lokalit të natës “Duplex”, në Prishtinë.

Nga kjo përleshje të plagosur kanë mbetur 4 persona, të cilët ishin dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.

 “Ju informojmë se rasti në fjalë është duke u trajtuar në Inspektoratin Policor të Kosovës përkatësisht në Departamentin e Hetimeve. Ky rast, bazuar edhe në  ligjin të IPK-së është iniciuar sipas detyrës zyrtare dhe më datën 18 nëntor 2019 nga IPK është rekomanduar suspendimi i dy zyrtarëve policor të Njësive të Specializuara”, thuhet në përgjigjen e IPK-së pas pyetjeve të dërguara ditë më parë nga Gazeta Sinjali.

Dy të suspenduari mësohet se janë pjesëtarët e Njësive Speciale, Ilir Hamiti dhe Gani Peci. Sipas informacioneve të Gazetës Sinjali, ata dyshohet se kanë qenë duke punuar jashtë detyrës zyrtare, në sigurim të lokalit.

Lidhur me suspendimin e tyre ditë më parë kishte raportuar Gazeta Sinjali mbështetur në burime nga policia e Kosovës.

Inspektorati  ka bërë të ditur se në koordinim me prokurorinë kompetente lënda është duke u hetuar në procedurë të rregullt me dyshimin se është kryer vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: