Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka kërkuar nga Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë që të bëjë transparencë të plotë të procesit të projektit të gazit, përfshi konsultimet, afatet, përgjigjet dhe dokumentet përcjellëse që kanë çuar deri tek vendim refuzues.
Ky institut konsideron se nuk mund të refuzohet një plan për mungesë kalkulimesh, pa një alternativë tjetër e cila ka një kosto të kalkuluar.
“Mungesa e transparencës dhe refuzimi pa alternativë që Qeveria i ka bërë programit të MCC-së për procesin e gazit janë tregues për nevojën e menjëhershme për ndryshim të qasjes nga ana e Qeverisë” thuhet në reagimin e INDEP.
“Përpara çdo refuzimi të këtij projekti, Qeveria do të duhej t’i ofronte publikut dhe partnerëve të MCC-së alternativën që Kosova ka zgjedhur”.
Ky institut i kërkon Qeverisë që në mënyrë urgjente të sqaroj të gjitha rrethanat dhe arsyetimet e këtij refuzimi dhe të rishqyrtoj atë në kornizën e diskutimeve për rrugën e de-karbonizimit.
“Pa miratim të Strategjisë së Energjisë dhe Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë, pa udhëzues për largim nga qymyri dhe pa udhëzues të dekarbonizimit, Qeveria ka hequr nga tavolina njërin nga opsionet e mundshme në rrugën e tranzicionit të energjisë. Futja e infrastrukturës së gazit nga viti 2030 apo 2035 do të ishte një aset i mirë për reduktim të emetimeve kundër ndryshimeve klimatike dhe për përfundimin e infrastrukturës së gazit”, thuhet në reagim.
Kosova ende nuk ka miratuar Planin Kombëtar për Energji dhe Klimë dhe Strategjinë e re për Energji. Për më tepër, ende nuk ka një strategji për dalje nga qymyri.
INDEP kërkon nga Qeveria se cila është rruga tjetër për dalje nga përdorimi i qymyrit.
“Eliminimi nga tavolina i opsionit të gazit tranzicional është një hap i madh. Minimalisht, Qeveria nuk duhej ta ndërmerrte këtë hap, pa një konsultim të hapur e të gjerë shoqëror, duke përcjellë atë edhe me një proces të rregullt të konsultimit publik ku do të mund të ballafaqoheshin opsionet”.
Instituti për Politika Zhvillimore konsideron që vendimi i Qeverisë së Kosovës për gazin dhe për çështjen e energjisë, nuk mund të merret “krye ne veti” dhe pa marrë në konsideratë faktorët rajonal të çështjes.
“Të gjitha shtetet fqinje përveç Kosovës e kanë të zhvilluar infrastrukturën e gazit dhe e konsiderojnë atë, një dritare të mundshme në rrugën e tranzicionit”.
INDEP kërkon nga Qeveria se si qymyri po i del më i lirë dhe më pak ndotës sesa gazi për dallim nga rajoni.
“Këtë duhet ta dëshmoj me kalkulime të sakta dhe me një strategji të qartë dalëse nga qymyri”, thuhet në reagim./GazetaSinjali/