image INDEP: Qeveria ndikoi në vendimin e ZRrE-së për shtrenjtimin e rrymës

Kosovë

INDEP: Qeveria ndikoi në vendimin e ZRrE-së për shtrenjtimin e rrymës

news image

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka shprehur shqetësim me vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për strukturën e re tarifore, vendim të cilin e ka cilësuar si të ndikuar politikisht.

Përmes një komunikate për media, ky institut ka kërkuar që vendimi i ZRrE-së për shtrenjtimin e rrymës të rishikohet menjëherë.

“Zhvendosja e bllok tarifës nga 600 në 800 dhe mos aplikimi i shkallëzimit të tretë tarifor nuk i kontribuon aspak efiçiencës së energjisë. Për më tepër, subvencionimi selektiv dhe jo linear vetëm sa do të rrisë konsumin energjetik në vend. Ky vendim nuk i ndihmon tranzicionit energjetik. Përkundrazi, e vazhdon bllokimin artificial të sektorit të energjisë në vend.”

Jemi gjithashtu të shqetësuar nga kjo shpërfaqje e hapur e ndikimit politik të Qeverisë në vendimin e sotëm të ZRRE-së… I bëjmë thirrje Rregullatorit të pavarur të energjisë që menjëherë të rishikojë këtë vendim dhe të ofrojë zgjidhje nga prizmi profesional dhe jopolitik”, thuhet në reagimin e tyre.

Në reagim thuhet se ky është momenti i fundit që Rregullatori të largohet nga ndikimet politike shumëvjeçare.

“Është koha e fundit që Rregullatori të shkëputet nga ndikimet politike shumëvjeçare dhe të krijojë një standard të vendimmarrjes profesionale. Duke hedhur poshtë vendimin e sotëm dhe duke ofruar zgjidhje të balancuar që tejkalon krizën në njërën anë dhe shtynë Kosovën drejt tranzicionit në anën tjetër, ZRRE ka shansin të dëshmohet si organ i pavarur dhe profesionist.”

“Vendimi i sotëm dëmton tregun energjetik, profesionalizmin dhe pavarësinë e Rregullatorit. Vazhdon një avaz të vjetër të nxitjes së konsumit të mëtutjeshëm, dekurajimit të dekarbonizimit dhe bllokimit të tregut të Kosovës.”/GazetaSinjali/