image Ilir Deda thumbon PDK-në pas takimit Kurti-Mustafa

Kosovë

Ilir Deda thumbon PDK-në pas takimit Kurti-Mustafa

news image

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda ka ‘thumbuar’ zyrtarët e lartë të PDK-së lidhur me deklaratat e tyre pas takimit mes kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës dhe atij të Vetëvendosjes, Albin Kurtin.

Deda takimin mes Kurtit dhe Mustafës e ka konsideruar si humbje të pushtetit nga radhët e PDK-së. Ka thënë se është më e ndershme të humbet pushteti me dinjitet.

 “Më ndershëm është me e kuptuar dhe me e humbë pushtetin me dinjitet, se sa me e shfaqë aq haptas panikun. Nuk ka pushtet të përjetshëm, as parti qeverisëse të përjetshme, e as opozitë të përjetshme”, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje, Deda thotë se Kosovës i duhet patjetër ndryshimi i qeverisjes dhe se këtë, sipas tij, mund ta bëjë vetëm opozita e bashkuar.

“Rotacioni i pushtetit është gjithmonë pozitiv, si për ata që e marrin qeverisjen, si për ata që dalin në opozitë. Ky është thelbi i demokracisë dhe i shoqërive të lira. Asnjë garë zgjedhore nuk është jetë o vdekje. Kosovës i duhet patjetër ndryshimi i qeverisjes. Dhe këtë mund ta bëjë vetëm opozita e bashkuar, rreth një programi të saktë e ambicioz qeverisës”, thotë ndër të tjera ai