Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK), ka kërkuar nga qytetarët që të kenë kujdes gjatë kësaj jave të mos ekspozohen shumë në diell shkaku i temperaturave të larta.
IKSHPK ka thënë se temperaturat e larta ndikojnë negativisht në organizmin e njeriut sidomos te të moshuarit.
“Duke u ekspozuar në diell për një kohë të gjatë mund të pësojmë goditje nga të nxehtit që çon në dehidrim të organizmit përcjellur me ngërçe, vjellje, çrregullime diarreike, skuqje dhe djegie të lëkurës duke komplikuar sistemin kardiovaskular deri në insufiçiencë renale”, thuhet në njoftim.
IKSHPK ka prezantuar edhe disa masa mbrojtëse për shëndetin e personave të moshuar gjatë ekspozimit ndaj temperaturave të larta të ajrit mbi 30°C, posaçërisht për të moshuarit me sëmundje kardiovaskulare dhe sëmundje tjera kronike.
Postimi i plotë:
Temperaturat
e larta që mbretërojnë në sezonin e verës ndikojnë negativisht në organizmin e
njeriut sidomos te të moshuarit. Duke u ekspozuar në diell për një kohë të
gjatë mund të pësojmë goditje nga të nxehtit që çon në dehidrim të organizmit
përcjellur me ngërçe, vjellje, çrregullime diarreike, skuqje dhe djegie të
lëkurës duke komplikuar sistemin kardiovaskular deri në insufiçiencë renale.
Masat e rekomanduara mbrojtëse për shëndetin e personave të moshuar gjatë
ekspozimit ndaj temperaturave të larta të ajrit mbi 30°C, posaçërisht për të
moshuarit me sëmundje kardiovaskulare dhe sëmundje tjera kronike janë:
1. Personat e moshuar asesi nuk duhet të ekspozohen në rrezet e diellit në
intervalin kohor prej orës 10.00-17.00 , sidomos jo të moshuarit me sëmundje të
zemrës ose ata me diabet;
2. Gjatë daljes nga shtëpia të moshuarit detyrimisht duhet ta mbrojnë kokën me
kapelë ose shall; rrobat duhet të jenë të holla, komode, prej liri ose pambuku
dhe me ngjyra të çelta;
3. Është e domosdoshme marrja e 2 litrave lëngje gjatë ditës, qoftë si 8 gota
ujë ose në formë supe ose qaji; poashtu duhet anashkaluar ushqimin e fërguar,
shumë të njelmët ose të ëmbël ose me mëlmesa të shumta, ndërsa duhet marrë
shumë pemë dhe perime sezonale;
4. Përveç këshillave të marra nga mjeku për përdorimin e barnave, tek të
moshuarit është e domosdoshme matja më e shpeshtë e tensionit arterial;
5. Paraqitja e kokëdhembjes, mundimit, marramendjes dhe dehidrimit, tharjes së
gojës dhe lëkurës, janë shenja alarmante për të moshuarin, sidomos kur është i
sëmurë dhe ka paaftësi funksionale; atëherë doemos i sëmuri geriatrik duhet të
lajmërohet tek mjeku i tij familijar ose në qendrën më të afërt emergjente;
6. Anëtarët e familjes, miqtë, fqinjtë dhe anëtarët e OJQ-ve të cilët kujdesen
për të moshuarit gjatë muajve të nxehtë të verës duhet doemos më shpesh të
kontaktojnë me të moshuarit, e në raste të paaftësive funksionale edhe disa
herë gjatë ditës;
7. Në rast se del jashtë shtëpisë/banesës ku jeton, i moshuari duhet
detyrimisht të bartë me vete të dhënat elementare, emrin dhe mbiemrin, vitin e
lindjes, adresën e banimit, numrin e telefonit të personit kontaktues, i cili
mund të kontaktohet lidhur me këtë person të moshuar;
8. Më e rëndësishmja është mirëmbajtja e higjienës personale dhe asaj të
ambientit të të moshuarit, si dhe mbikëqyrja e përdorimit të barnave në mënyrë
të rregullt;
9. Është i domosdoshëm aktiviteti fizik dhe psikik i të moshuarit, sidomos ecja
e vazhdueshme në orët e para të mëngjesit ose në mbrëmje, qëndrimi sa më i
gjatë në natyrë (park, shëtitore etj).
10. Nëse i moshuari ka vështirësi për të lëvizur për shkak të pamjaftueshmërive
funksionale, atëherë duhet bërë ajrosjen shumëorëshe të hapësirave ku qëndron i
moshuari. /Gazeta Sinjali/