Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës nuk distribuon e as nuk kryen testime për COVID-19 me teste rapide (të shpejta). Mirëpo, rezultatet që nxirren pikërisht me këto teste në laboratorët privatë, përfshihen në rezultatet për rastet pozitive që Ministria e Shëndetësisë i publikon çdo ditë, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka konfirmuar ky institut në një përgjigje për Sindikatën e Infermierëve, pas vendimit të QKUK-së që të mos pranojë si dëshmi rezultatin e këtyre testeve.
“Menaxherët e institucioneve shëndetësore janë të obliguar të vlerësojnë riskun në institucionet e tyre shëndetësore dhe riskun e aktiviteteve të ndërmarra. IKShPK çdo ditë pranon raportime nga laboratorët të cilët raportojnë rastet te cilat rezultojnë COVID Pozitiv qoftë me teste PCR apo me ato rapide, por IKShPK nuk teston (as distribuon) me teste rapide”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e IKShPK-së.
Sindikata e Infermierëve ka kërkuar nga ShSKUK/ QKUK që të “përmbahet nga vendimet e pamatura që paraqesin standart të dyfishtë”.
Gazeta Sinjali ka dërguar sot pyetje në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë për të kuptuar qëndrimin e kësaj ministrie sa i përket vërtetësisë së këtyre testeve, por nuk ka pranuar ende përgjigje./Gazeta Sinjali/