Pas rritjes së rasteve me COVID-19, IKSHPK-ja ka dalë me apel për qytetarët që të vaksinohen, shkruan Gazeta Sinjali.
Ky institut ka dhënë sqarime shtesë rreth domosdoshmërisë për vaksinim.
Në një njoftim për media IKSHPK thotë se vaksinimi është mënyra më e thjeshtë, më e sigurt dhe më efektive për të mbrojtur njerëzit nga sëmundjet e dëmshme.
Përmes një formati pyetje-përgjigje IKSHPK ka sqaruar gjithçka sa i përket vaksinimit kundër COVID-19.
Njoftimi i plotë:
Çka është vaksinimi?
Vaksinimi është mënyra më e thjeshtë, më e sigurt dhe më efektive për të mbrojtur njerëzit nga sëmundjet e dëmshme.
Vaksinimi përdor mbrojtjen natyrore të trupit tonë për të krijuar rezistencë ndaj infeksioneve specifike dhe e fuqizon sistemin imunitar.
Pse është i rëndësishëm vaksinimi?
Sepse shpëton jetë. Sot kemi në dispozicion vaksina për t’u mbrojtur nga të paktën 20 sëmundje të ndryshme, siç janë: difteria, tetanozi, paraliza e fëmijëve, gripi, fruthi, kanceri i qafës së mitrës, kolera, Covid-19, hepatiti, parotiti, meningjiti, etj.
Së bashku, këto vaksina shpëtojnë 3 milionë jetë njerëzish çdo vit, sidomos në vendet e pazhvilluara.
A janë të sigurta vaksinat?
Vaksinimi është i sigurt dhe efektet anësore nga një vaksinë janë zakonisht të vogla dhe të përkohshme, si p.sh. dhembje krahu dhe ethe. Efektet anësore më serioze janë të mundshme, por janë jashtëzakonisht të rralla.
Çdo vaksinë e licencuar testohet me rigorozitet në të gjitha fazat e hulumtimeve klinike para se të miratohet për përdorim.
VAKSINAT KUNDËR COVID-19
Çka është efikasiteti i vaksinave. Për shembull, çka nënkupton efikasiteti 95%?
Efikasiteti i vaksinës prej 95%, d.m.th. se vaksina, te personat e vaksinuar e ul mundësinë e prekjes nga Covid-19 për 95%, krahasuar me personat që nuk e kanë marrë vaksinën.
Këto rezultate vijnë pas dozës së dytë, e cila e rrit përgjigjen imunitare të organizmit.
Cili është qëllimi i kryesor i vaksinimit?
Të parandalojë vdekjet dhe infeksionet e rënda, të cilat kërkojnë shtrirjen e pacientit në spital.
Sa kohë zgjat mbrojtja nga vaksinat?
Meqenëse vaksinat janë testuar tek nga vera e vitit 2020, nuk e dijmë kohëzgjatjen e saktë të mbrojtjes që ofrojnë.
A e parandalojnë vaksinat bartjen e virusit te personat e tjerë apo e parandalojnë vetëm vdekjen dhe hospitalizimin e personave me Covid-19?
Personat e vaksinuar kanë më pak gjasë se sa ata të pavaksinuar të transmetojnë infeksionin tek personat e tjerë. Në një studim të kryer në Izrael, të vaksinuarit me vaksinën Pfizer / BioNTech kishin për 90% rrezik më pak për infeksion asimptomatik, krahasuar me ata që nuk ishin vaksinuar.
A ka vaksina ndikim indirekt në popullatë?
Po. Në Izrael, rastet e Covid-19 tek fëmijët u zvogëluan ndjeshëm me rritjen e përqindjes së vaksinimit tek të rriturit. Kjo sugjeron për një dobi shtesë të popullatës nga imunizimi masiv, sepse ulen rastet e sëmundjes.
A mbron vaksina 100% nga infeksioni?
Jo. Asnjë vaksinë nuk është 100% efikase, prandaj nuk mund të themi se vaksinat plotësisht e zhdukin rrezikun e infektimit dhe sëmundjes simptomatike.
Cilat janë efektet anësore të vaksinave kundër Covid-19?
Efektet anësore të lehta janë ndjeshmëria në vendin e injektimit, dhimbje në vendin e injektimit , dhimbje koke dhe lodhje, dhimbje të muskujve dhe shqetësim, temperature, dhimbje të kyçeve, mundim, të vjella, diarre, skuqje dhe ënjtje në vendin e injektimit, të shoqëruara me ethe. ënjtje të nyjave limfatike, ulje e oreksit, maramendje, përgjumje, djersitje e tepërt, kruajtje dhe skuqje e lëkurës.
Efektet tjera anësore janë shumë të rralla: mpiksja e gjakut, miokarditi, perikarditi
A janë të sigurta vaksinat kundër Covid-19 në Kosovë?
PO. I vetmi shtet në rajon që ka dhënë vetëm vaksina të miratura nga Agjencia Evropiane dhe Amerikane e Barnave është Kosova. Këto vaksina janë Astra-Zeneca dhe Pfizer. Këto vaksina kanë sigurinë, cilësinë dhe efikasitetin, që e plotësojnë standardin evropian dhe atë amerikan.
Cilën vaksinë duhet ta marrim?
Cilëndo që është në dispozicion: Astra-Zeneca ose Pfizer. Të dyjat janë të sigurta dhe shpëtojnë jetë!
Pse po ngurrojnë njerëzit për t’u vaksinuar?
Disa janë në parim kundër vaksinimit. Tjerët frikësohen nga efektet anësore, siç është mpiksja e gjakut, e cila është regjistruar shumë rrallë (4 raste mpiksjesh në 1 milionë të vaksinuar). Por në anën tjetër rreziku i mpiksjes së gjakut te përdorimi i pilulave kontraceptive është deri 1200 raste në 1 milionë gra; apo 1763 raste në 1 milionë duhanxhinj dhe së fundmi 165.000 raste të mpiksjes ndodhin në 1 milionë pacientë të cilët janë të sëmurë me kovid.
Efekte anësore ka çdo ilaç, madje edhe paracetamoli.
Të gjithë e dijmë se duhani vret dhe ky mesazh shkruan në çdo paketim të cigareve. Duhani vret 6 milionë njerëz në botë brenda një viti!
Pijet e sheqerosura që shkaktojnë diabet, sëmundje kardiovaskulare e obezitet (si psh. Coca-cola) shkaktojnë 184.000 vdekje në vit në mbarë botën!
Rreziku për të humbur jetën nga kovidi është shumë më i madh sesa vaksina!
A mund ta marr Kovidin nga vaksina?
Jo. Asnjëra vaksinë që është në përdorim në Kosovë nuk përmban virus të gjallë që shkakton COVID-19. Kjo d.m.th. se nuk mund të sëmureni me COVID-19 nga vaksina.
A duhet të shtyhet vaksinimi nëse pacienti është i sëmurë dhe ka shenja e simptome të sëmundjes aktive?
Po. Vaksinimi duhet të shtyhet te njerëzit që kanë çfarëdo sëmundje akute, mundësisht deri sa të shërohen. Kjo vlen edhe Covid-19, por edhe për sëmundjet e tjera. Megjithatë, njerëzit me sëmundje kronike dhe simptoma të qëndrueshme mund të marrin vaksinat (p.sh. personat me sëmundje obstruktive kronike të mushkërive).
Pas marrjes së vaksinës kam bërë testin serologjik dhe rezultati doli negativ. Si është e mundur kjo?
Personat e vaksinuar me vaksinat Covid-19 prodhojnë antitrupa ndaj proteinës xhembore (“spike protein”) të SARS-CoV-2. Shumica e testeve serologjike në dispozicion në Kosovë, testojnë antitrupat ndaj nukleokapsidës virale dhe jo ata kundër “spike-proteinës”, të cilët prodhohen pas vaksinimit. Prandaj, është normale që personat e vaksinuar në këto testime dalin negativ dhe nuk duhet të shqetësohen për veprimin e vaksinës.
A ka teste serologjike që e përcaktojnë efikasitetin e vaksinës dhe a duhet bërë ato teste?
Po, ka teste të tilla. Kohëve të fundit janë autorizuar edhe teste serologjike që kërkojnë antitrupat specifikë neutralizues pasvaksinalë. Por, nuk rekomandohet testimi rutinor i efikasitetit të vaksinimit me këto teste.
A duhet të vaksinohen pacientët që janë shëruar nga Covid-19?
Po, edhe këta persona duhet të vaksinohen.
Nëse e kam pasur kovidin a duhet të pres ndonjë kohë apo mund të vaksinohem menjëherë?
Meqenëse reinfektimi pas shërimit nga Covid-19 është i rrallë në muajt e parë, shumë shtete në Evropë e kanë shtyrë vaksinimin e këtyre personave në interval prej së paku 3-6 muaj pas infektimit ose pas shërimit.
Por, nëse një person që ka kaluar kovidin, dëshiron ta marrë vaksinën sa më shpejt të jetë e mundur, atëherë nuk ka kundërindikacion për t’u vaksinuar.
Disa shtete në Evropë japin vetëm një dozë pë rata që kanë pasur kovid. Por, rekomandohet të merren dy dozat duke marrë parasysh të dhënat e fundit se një dozë e vetme e vaksinës mund të mos ofrojë mbrojtje të mjaftueshme kundër variantit të ri Delta të virusit.
A mund të vaksinohen personat që janë alergjik në penicilinë, në ushqim, pluhur shtëpie apo çfarëdo alergjie tjetër?
Po, të gjithë këta persona mund të vaksinohen, por duhet të presin në qendrën mjekësore 30 minuta pas vaksinimit. I vetmi kundërindikacion për vaksinim është nëse personi është alergjik në vaksinën kundër Covid-19.
Nëse kam zhvilluar reaksion alergjik ndaj vaksinës në dozën e pare, a duhet të marr dozën e dytë të vaksinës?
Jo. Personat e tillë nuk duhet të marrin dozën e dytë të vaksinës. Edhe personat që kanë pasur mpiksje të gjakut pas dozës së parë, nuk duhet ta marrin dozën e dytë
Nësë kam marrë plazmë ose antitrupa monoklonalë a mund ta marr vaksinën?
Për personat që kanë marrë antitrupa monoklonalë ose plazmë konvaleshente si pjesë e trajtimit të COVID-19, vaksinimi duhet të shtyhet për të paktën 90 ditë.
A mund të marr edhe ndonjë vaksinë tjetër përveç Covidit në të njejtën kohë?
Duhet të ketë një interval minimal prej 14 ditësh mes administrimit të kësaj vaksine dhe çfarëdo vaksine tjetër kundër sëmundjeve të tjera.
GRUPET E VEÇANTA TË POPULLATËS
A duhet të vaksinohen fëmijët dhe adoleshentët?
Fëmijët dhe adoleshentët zakonisht kanë formë shumë të lehtë të sëmundjes. Disa kategori të adoleshentëve mund ta përhapin SARS-CoV-2 sikurse të rriturit.
Vaksinimi i fëmijëve mund të merret në konsideratë vetëm atëherë kur është arritur vaksinimi i grupeve prioritare të popullatës.
Fëmijëve që kanë sëmundje shoqëruese, të cilat e rrisin rrezikun e shfaqjes së sëmundjes serioze COVID-19, mund t’u ofrohet vaksinimi.
A duhet të vaksinohen personat me imunitet të kompromituar?
Po. Këta persona duhet t’i njoftojmë se ata mund të kenë efektivitet më të ulur të vaksinës. Po ashtu, duhet t’i rikujtojmë ata për rëndësinë e vazhdueshme të masave të tjera parandaluese, siç janë mbajtja e maskës në hapësira të brendshme publike, distanca, shmangia e turmave dhe larja e duarve.
Si duhet të veprojnë familjarët e personave me imunitet të kompromituar në parandalimin e Covid-19?
Anëtarët e familjes së personave me sistem imunitar të dobësuar duhet të imunizohen me vaksinë kundër Covid-19.
A duhet dhënë vaksina shtatzënave dhe grave gjidhënëse?
Rekomandohet vaksinimi i shtatzënave në rastet kur përfitimet e vaksinimit për shtatzënën tejkalojnë rreziqet e mundshme. Shtatzënave duhet t’u ofrohet informacion në lidhje me rreziqet e COVID-19 në shtatzëni, përfitimet e mundshme të vaksinimit dhe kufizimet aktuale të të dhënave të sigurisë së vaksinës për grupin e shtatzënave. Në botë janë vaksinuar shumë shtatzëna dhe rezultatet e deritashme nuk kanë treguar për efekt të dëmshëm të vaksinës. Nuk rekomandohet të bëhet testimi i shtatzënisë para vaksinimit e as shtyrja e shtatzënisë ose ndërprerja e saj për shkak të vaksinimit.
Nuk ka pengesa në dhënien e vaksinës tek gratë gjidhënëse, përkundrazi janë gjetur antitrupa në trupin e foshnjave që mbrojnë nga Covidi.
VARIANTI DELTA
A veprojnë vaksinat kundër variantit Delta të koronaviruseve?
Po. Efikasiteti i vaksinës kundër hospitalizimit të personave të sëmurë me variantin Delta është 75% pas dozës së parë dhe rritet në 94% pas dozës së dytë. Te varianti Alfa këto shifra janë 78% pas dozës së parë dhe 92% pas dozës së dytë.
Kurse efikasiteti i vaksinës kundër infeksionit simptomatik me variantin Delta është 31% pas dozës së parë dhe 60-80% pas të dytës.
Kush preket më së shumti nga ky variant?
Më së shumti preken personat e pavaksinuar. Në SHBA, nga rastet e vdekjeve të raportuara në dy muajt e fundit, gjithsejt 99.5% e personave të vdekur ishin të pavaksinuar.
A mund të preket nga varianti delta edhe dikush që është vaksinuar?
Po, por kjo ndodh shumë rrallë dhe zakonisht te personat që nuk e kanë kryer vaksinimin e plotë me dy doza.
Çka ndodh nëse nuk vaksinohemi?
Nëse nuk vaksinohemi mund të rriten rastet e reja duke u përcjellë me shtim të hospitalizimeve, vdekjeve, mbingarkesë të sistemit shëndetësor, rikthim të kufizimeve, goditje të shëndetit mental, shkollës, ekonomisë, kulturë, artit e sportit.
Si mund t’i heqim qafe variantet e reja?
Mënyra e vetme për të hequr qafe variantet është ulja e numrit të infeksioneve. Kjo arrihet vetëm me vaksinim.
Personat që refuzojnë vaksinimin janë fabrika potenciale për prodhimin e varianteve të reja. Sa më shumë njerëz të pavaksinuar që të ketë, aq më shumë mundësi do të ketë virusi të shumëzohet dhe të prodhojë variante të reja.
Qytetarë të nderuar!
Vaksinohuni!
Me vaksinë mbroni veten, familjen, të afërmit, kombin dhe njerëzimin kundër COVID-19./Gazeta Sinjali/