image IKSHPK insiston se Nazlije Sherifi rezultoi dy herë pozitive me COVID-19

Shëndetësi

IKSHPK insiston se Nazlije Sherifi rezultoi dy herë pozitive me COVID-19

news image

Nazlije Sherifi, 19-vjeçarja nga Mitrovica e cila vuante nga sëmundja Glomerulosklerozë Fokale Segmentale, ndërroi jetë më 3 janar të këtij viti, shkruan Gazeta Sinjali.

Ndonëse familjarët e kanë mohuar se ajo është me koronavirus, siç njoftuan dje IKSHPK dhe QKUK dhe paralajmëruan padi ndaj IKSHPK-së për, siç thanë ata, “manipulim të rezultatit”, ky institucion insiston se 19-vjeçarja ishte e prekur me COVID-19.

Madje, sipas IKSHPK-së, ajo dy herë ka rezultuar pozitive në testin për koronavirus.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike përmes një reagimi, thotë se Nazlije Sherifi ishte testuar në Spitalin e Mitrovicës më 2 janar dhe në Klinikën e Mjekimit Intenziv në QKUK, ditën kur ndërroi jetë.

“Pas testimit me Real Time PCR (më 2 janar) mostra ka rezultuar pozitive në SARS-CoV-2 dhe pasditen e 2 janarit 2021 rezultati i është përcjellë QRSHP në Mitrovicë dhe më pastaj autoriteteve në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë. Një mostër tjetër e pacientes N.Sh. (2001), Mitrovicë, është dërguar në IKSHPK e referuar nga Mjekimi Intenziv Qendror, QKUK, Prishtinë me datën 3 janar 2021 dhe e njëjta ka rezultuar pozitive në SARS-CoV-2”, thuhet në reagimin e IKSHPK-së.

Nga IKSHPK thonë se mostrat e 19-vjeçares janë testuar sipas protokoleve të punës në laborator, si të gjitha mostrat e tjera, duke theksuar se IKSHPK nuk është institucion kompetent për përcaktimin e shkaqeve të vdekjeve të qytetarëve brenda spitaleve të Kosovës./Gazeta Sinjali/