Ekipi i monitoruesve dhe hulumtuesve të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) ka hulumtuar integritetin e kandidatëve të partive politike të përfshirë në listat zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme, të cilat do të mbahen më 14 shkurt 2021, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas IKD-së, në listën zgjedhore të Nismës Socialdemokrate, nga 110 kandidatë për deputetë, rezulton se edhe dy prej tyre janë të dënuar me aktgjykim të formës së prerë në tri vitet e fundit, njëri për veprën penale “Përdorim i armës” i dënuar me 2400 euro gjobë dhe tjetri me gjashtë muaj burgim me kusht dhe 600 euro gjobë për “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Po ashtu, njëri prej kandidatëve të dënuar në listën e Nismës Socialdemokrate ka një aktakuzë aktive për veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”, i cili rast me pajtimin e palëve ka shkuar në ndërmjetësim.
Sipas hulumtimit të IKD-së, këtu përfshihet edhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, që është dënuar me 2400 euro gjobë në mars të 2019-s, si pasojë e përdorimit të armës në mënyrë të paligjshme.
Gazeta Sinjali më herët raportoi edhe për Besnik Berishën, kandidat për deputet e ish-udhëheqës i Divizionit të Prodhimit të Dokumenteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme që ishte dënuar me 6 muaj burgim me kusht për “zbulim të fshehtësisë zyrtare” në mars të 2018-s.
Ai për Sinjalin tha se do ta respektoj çdo vendim që merret nga Komisioni Qendror Zgjedhor dhe se sipas tij, nuk ka shpërfillur asnjë aktvendim të Gjykatës Kushtetuese.
Kandidati i Nismës për deputet i dënuar me burgim me kusht: Do ta respektoj çdo vendim të KQZ-së