Gazeta Sinjali ditë më parë ka raportuar për një rast të vjedhjes që ka ndodhur në Shtëprcë, ku cak i hajnave ka qenë vila në Brezovicë e biznesmenit kontravers, Alban Quka. Ai kishte deklaruar në Polici se hajnat kanë arritur që të marrin pajisjet e ngrohjes në vlerë prej rreth 15 mijë eurove, teksa i dyshuari ishte larguar në drejtim të panjohur.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pas veprimeve hetimore të ndërmarra është arritur që i dyshuari të identifikohet dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
47-vjeçari para hetuesve policorë ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet, duke marrë pajisjet që shërbejnë për ngrohje qendrore e të cilat kapin vlerën e rreth 15 mijë eurove.
Pajisjet që janë vjedhur janë konfiskuar dhe i janë kthyer në pronësi Qukës, ndërsa ndaj të dyshuarit kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Vjedhje e rëndë’.
Ndryshe, Quka dyshohet se me anë të korrupsionit ka siguruar leje ndërtimi për një varg vilash të cilat janë sekuestruar nga Gjykata.
Kompania ‘Quka Co’ është përmendur në disa raste të shkatërrimit të natyrës në Brezovicë, pasi dyshohet se në kundërshtim me ligjin ka kryer gërmimet dhe prerjen e pyjeve në Parkun Sharri.
E Prokuroria Themelore në Ferizaj më 31 korrik të vitit 2018 kishte ngritur aktakuzë ndaj Alban Qukës, i cili akuzohej se që nga viti 2014 ka uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme disa parcela të cilat gjenden në Brezovicë.
Sipas aktakuzës, Quka ka rrënuar objektin e vjetër dhe më pas ka ndërtuar një të ri të cilin ua ka shitur personave të tretë, duke ia pamundësuar të dëmtuarës të shfrytëzojë pronën e saj.