image Identifikohet nga policia i dyshuari për sulmin me thikë në Nice të Francës

Evropë

Identifikohet nga policia i dyshuari për sulmin me thikë në Nice të Francës

news image

Autoritetet franceze kanë identifikuar të dyshuarin për një sulm me thikë që la tre të vdekur në qytetin jugor të Nicës. I dyshuari është identifikuar si Brahim Aouissaoui, një tunizian 21-vjeçar.

Sipas BBC-së dhe Reuters-it, Aouissaoui mbërriti me anije në ishullin italian të Lampeduzës në shtator. Pasi përfundoi një periudhë karantinë për koronavirusin, atij iu tha të ikte nga Italia. Ai mendohet se arriti në Francë më herët këtë muaj.

Aouissaoui nuk ishte në listën e militantëve të dyshuar nga Tunizia dhe nuk ishte i njohur nga shërbimet e zbulimit francez, tha Reuters. Sulmi po trajtohet si një akt terrorizmi dhe Franca ka ngritur alarmin e saj të sigurisë kombëtare në nivelin më të lartë. Zyrtarët thonë se sulmi ndodhi të enjten në mëngjes në kishën Notre Dame të Nicës.

Dy persona vdiqën brenda kishës, thonë zyrtarët, njërit prej tyre iu pre koka. Një person i tretë, i cili u plagos rëndë, arriti të largohej nga kisha, por vdiq pak më vonë.

Policia qëlloi për vdekje një burrë të armatosur me thikë në qytetin jugor francez Avignon. Dhe në Arabinë Saudite, një burrë u arrestua pasi plagosi një roje para konsullatës Franceze në Jeddah.

Sulmi vjen ndërsa Franca përgatitet të fillojë një periudhë tjetër masash shtrënguese për t’u mbrojtur nga koronavirusi – dhe pas dy sulmeve të tjera me thikë, për të cilat po ashtu janë përgjegjës islamikët radikalë dhe të cilat janë të lidhura me karikaturat e Profetit Muhamed. Në një nga sulmet, mësuesit Samuel Paty iu pre koka pranë Parisit./Gazeta Sinjali/