image “Ideja e Mini-Schengenit ka vdekur, rilindjen mund ta përjetojë në procesin e Berlinit”

Kosovë

Deklarime/ “Ideja e Mini-Schengenit ka vdekur, rilindjen mund ta përjetojë në procesin e Berlinit”

news image

Iniciativa rajonale e ashtuquajtura “Mini-Schengeni” ballkanik nuk po e merr mbështetjen e Bashkimit Evropian. Përkundër se ka rreth katër muaj prej takimit të parë në Novi Sad, e më pas në Ohër, e Tiranë asnjë zyrtarë i lartë i BE-së, në asnjë dokument të rëndësishëm nuk i ka dhënë mbështetje kësaj ideje, kështu deklarojnë për KP, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare në Kosovë.

Sipas Demush Shashës nga instituti ‘Epik’, ideja e Mini-Schengenit ballkanik ka vdekur dhe rilindjen e vetme mund të përjetojë brenda procesit të Berlinit.

“Tani bëhen katër muaji që nga lansimi i Mini-Schengenit në Novi-Sad. Që katër muaj asnjë zyrtarë i lartë i BE-së, asnjë dokument i rëndësishëm i BE-së nuk e ka mbështetur shprehimisht idenë e Mini-Schengenit. Kjo ka një arsye se qëllimet e Mini-Schengenit janë në duplifikim të plotë me procesin e Berlinit. Prandaj nuk asnjë sens të fillohet një proces i ri, duke qenë se procesi i Berlinit ekziston tani e katër-pesë vjet…duke e njohur që është një ide që synon katër lirit themelore të BE-së dhe duke njohur faktin që asnjë zyrtarë i lartë i BE-së nuk është duke e mbështetur këtë ide, konsideroj se kjo ide ka vdekur dhe rilindjen e vetme mund të përjetojë brenda procesit të Berlinit…është një anomali që një iniciativë që synon katër liritë themelore të BE-së të mos diskutohet fare nga BE dhe fare të mos jetë pjesë e diskutimeve të liderëve të Ballkanit perëndimor. Prandaj ajo në vetvete është mesazh për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor se BE nuk e sheh në prioritet dhe nuk ofron mbështetje për këtë iniciativë”, thotë ai.

Skeptik se do të arrihet të përfundohet kjo iniciativë është edhe drejtori i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj.

“Nuk besoj që BE-ja apo SHBA-ja shpenzojnë energji, apo para për një ide të tillë që mund të jenë të përkohshme sepse gjitha këto pretendojnë me qenë pjesë e BE-së. Ndoshta kjo është arsyeja pse kemi një hezitim për me mbështet këtë ide. Qoftë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, qoftë nga ShBA”, thotë ai.

Ndërsa, analisti politik, Faton Abdullahu i bëri thirrje qeverisë re që të jenë më të qartë për këtë iniciativë rajonale.

“Kosova në përgjithësi dhe Qeveria jonë në veçanti nuk ka qasje të qartë sa i përket Mini-Schengenit. Duhet të jetë shumë më e qartë në vendimet dhe synimet që i ka për të na dhënë arsyetimet pse është kundër Mini-Schengenit”, thotë ai.

Iniciativa për formimin e një Mini-Schengeni ballkanik qysh në nisje të saj nuk e ka pasur përkrahjen e institucioneve kryesore në Kosovë.