image “Vizioni i një urbanisti”/ Abdixhiku e arsyeton idenë e Ramës për liqenin në vend të stadiumit - Sinjali

“Vizioni i një urbanisti”/ Abdixhiku e arsyeton idenë e Ramës për liqenin në vend të stadiumit

news image

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur për talljet që janë bërë ndaj kandidatit të kësaj partie për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, për idenë që dha për rrënimin e stadiumin “Fadil Vokrri” dhe në vend të tij të bëhet një liqen artificial dhe disa parqe.

Abdixhiku tha se talljet për ide të mëdha mund të ndodhin, por programi duhet të lexohet mirë.

Ai e arsyetoi idenë e Ramës duke thënë se kjo ide është vizioni i një urbanisti.

“Është një prej ideve që ka qarkulluar më herët, por është ide që në qoftë se në të ardhmen si vizion, ky është vizioni i një urbanisti. Prishtinës i mungon lumi e uji, kish me qenë atraktive, por unë besoj që duhet të dalim përtej bindjeve që i kemi tani, qytetet e mëdha këtë e bëjnë, transformojnë, rrënojnë diçka që ka qëndru një kohë të gjatë dhe e ndryshojnë. Prandaj, duhet të guxojmë të mendojmë pak më tepër se kaq”, tha Abdixhiku në T7.

Ai shtoi se ka ardhur koha për transformim radikal në Prishtinë dhe kandidati i LDK-së, Përparim Rama, mund ta bëjë një gjë të tillë.

“Natyrisht tallja e ideve të mëdha mund të ndodh, por unë besoj që duhet të lexohet programi me kujdes. Është program specifik i përgatitur mirë, i qartë edhe për atë temë dhe për temat e tjera, për dallim prej tjerëve që i refuzojnë qytetarët tanë. Paraqitja e ideve nuk është veç privilegj, por është detyrim. Unë besoj që është koha për një transformim radikal dhe Përparimi e bën një gjë të tillë.”/Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin