image “Iber-Lepenci” reagon për rastin ku kryesuesi i komisionit të auditimit pretendon se u kërcënua nga deputeti i PDK-së

Kosovë

Reagim/ “Iber-Lepenci” reagon për rastin ku kryesuesi i komisionit të auditimit pretendon se u kërcënua nga deputeti i PDK-së

news image

Ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, ka reaguar lidhur me pretendimin e Liridon Zogianit i cili në rolin e kryesuesit të komisionit të Auditimit ka denoncuar në Policinë e Kosovës Hajdar Beqën për kërcënim, raporton Gazeta Sinjali.

Ai pretendonte se është kërcënuar nga ish-deputeti i PDK-së për shkak se ishte duke kryer auditimin ku është e angazhuar gruaja e ish-deputetit.

Lidhur me këtë rast kjo ndërmarrje ka hedhur poshtë mundësinë e kërcënimeve të personave nga jashtë ndërmarrjes. Në sqarim thuhet se raporti i komisionit të auditimit është aprovuar pa ndonjë vërejtje.

“Komisioni i Auditimit miraton raportet mujore të Auditorit të brendshëm dhe ia prezanton Bordit të Drejtorëve për miratim, ku deri më tani, komisioni i auditimit i ka aprovuar pa vërejtje të gjitha raportet për vitin kalendarik 2019. Auditimi i ndërmarrjes, përveç ZAB, ka të angazhuar edhe një kompani ndërkombëtare me standarde të pranuara nga Banka Botërore për Auditim të jashtëm”, thuhet në sqarim.

Më tutje në këtë sqarim, thuhet se Zogiani është i informuar që nuk ka asnjë ndërhyrje nga jashtë ndërmarrjes. Sipas këtij njoftimi çdo vendim i deritanishëm është aprovuar unanimisht dhe pa problem.

“Z. Zogiani është më shumë se dy vite anëtar i Bordit të Ndërmarrjes, duke qenë për një kohë të caktuar edhe Kryesues i Bordit, e poashtu në kohën e fundit edhe Kryesues i Komisionit të Auditimit, ku më së miri e din z. Zogiani, se në ndërmarrjen Hidro Ekonimike “Iber Lepenc” asnjëherë nuk ka pasur ndërhyrje nga jashtë. Ndërmarrja ka organet e veta udhëheqëse, Kryeshefin Ekzekutiv dhe Bordin e Drejtorëve si Organ mbikëqyrës të ndërmarrjes, pjese e të cilit është edhe z Zogiani. Pra, çdo veprim dhe vendim i deritanishëm është aprovuar unanimisht konform ligjit nga po ky Bord i Drejtorëve. Poashtu, ju njoftojmë se ndërmarrja monitorohet nga Njësia për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, e cila është në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonmik”.

“Ne, si drejtues të ndërmarrjes do t’i respektojmë të gjitha ligjet në fuqi dhe duke mos lejuar që asnjëherë të cenohet integriteti dhe funskionimi i ndërmarrjes tonë. Vlen të theksohet se në periudhën 2018 dhe 2019 kemi një fitim operativ, fitim i cili nuk ka ndodhur kurrë më parë, përkatësisht prej vitit 1999. Andaj, z Zogiani të gjitha ato që i din, duhet t’i deponoj në organe përkatëse dhe në media, pasi që si anëtar i Bordit të Drejtorëve ka edhe vetë përgjegjësi ligjore”, thuhet në njoftim./Gazeta Sinjali/