Pas bastisjes që policia bëri në banesën e saj duke kërkuar provat për lidhjen e pretenduar të gazetares me një grup opozitar, Irina Slavina kreu vetëvrasje.
Ajo i vuri flakën vetës përpara një zyre të Ministrisë së Punëve të Brendshme në qytetin e Nizhniy Novgorod. Para se të kryente këtë akt Irina shkroi një postim në llogarinë e saj në Facebook: “Unë ju kërkoj të fajësoni Federatën Ruse për vdekjen time”.
Slavina të enjten tha se policia kishte kontrolluar banesën e saj, duke kërkuar materiale në lidhje me grupin pro-demokracisë “Rusia e Hapur”. Asaj i janë sekuestruar kompjuterë, fletore, telefona celularë dhe pajisje tjera.
Webfaqja e pavarur e lajmeve Koza Press, ku Slavina ishte redaktore, më pas konfirmoi identitetin e saj.
Autoritetet ruse e konsiderojnë “Rusinë e Hapur” një organizatë të ashtuquajtur “të padëshirueshme” dhe në mënyrë të përsëritur kanë shënjestruar grupin dhe udhëheqjen e tij.
Slavina gjithashtu u gjobit disa herë për artikujt e saj.
Komiteti Hetimor i Rusisë konfirmoi se Irina Slavina, e cila lë pas një burrë dhe vajzë, kishte vdekur, por mohoi çdo lidhje me kontrollin e banesës së saj./Gazeta Sinjali/