image I shumëkërkuari nga Policia që u bë "sebep" për arrestimin e punonjësit të Policisë dhe djalit të tij në Gjilan

Siguri

I shumëkërkuari nga Policia që u bë “sebep” për arrestimin e punonjësit të Policisë dhe djalit të tij në Gjilan

news image

Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht për arrestimin e zyrtarit të Policisë së Kosovës nga stafi civil, Arianit Huruglica dhe djalit të tij, të cilët u kapën me kokainë mbrëmë në Gjilan.

“Sebep” për arrestimin e Arianitit dhe Leulum Huruglicës, Sinjali mëson se u bë Fiton Spahiu, i shumëkërkuar i Policisë për disa raste të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda.

27-vjeçari që u arrestua mbrëmë bashkë me dy persona të tjerë gjatë një aksioni të Policisë kundër rasteve të vjedhjeve, dyshohet se u dha hetuesve policorë informacione që u bënë “shkëndija” për arrestimin e tyre.

Fiton Spahiu ishte në kërkim nga Policia e Kosovës për rreth 250 raste të veprave penale dhe ishte i dënuar me 12 vjet burgim.

Gjatë arrestimit të tij, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe kanë sekuestruar një pistoletë të llojit ‘Ekol special 99’, të kalibrit 9 mm dhe dy fishekë të kalibrit 7.65 mm.

“Gjatë kontrollit po ashtu janë gjetur dhe konfiskuar shumë sende me vlerë si: cigare të llojeve të ndryshme, TV plazma, Play station, mjete të punës, pjesë të automjeteve, telefona dhe gjëra të tjera të cilat ishin vjedhur në lokacione të ndryshme, ku të njëjtat do të përdoren si prova dhe dëshmi materiale lidhur me veprat e kryera”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Fitoni dhe dy të arrestuarit e tjerë për “vjedhje” dhe “vjedhje të rënda”, e kanë pranuar se kanë kryer vjedhje të rënda në lokacione të ndryshme.

Andaj, me vendim të Prokurorit, ata janë ndaluar për 48 orë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /GazetaSinjali/