image Rënie drastike e shitjes së banesave – për 6 muaj në Gjilan u shitën vetëm 6

Kosovë

Rënie drastike e shitjes së banesave – për 6 muaj në Gjilan u shitën vetëm 6

news image

“Tash e disa vite kursejmë para për të blerë banesë… Kur kemi shikuar në fillim, çmimi ka qenë 450-500 euro për metër katror në Fushë Kosovë, tash është mbi 700 euro, kurse në Prishtinë mbi 1.000 euro”, thotë Shpresa.

Me bashkëshortin dhe dy fëmijët, ajo jeton në një banesë me qira në Fushë Kosovë, për të cilën paguan 250 euro në muaj.

Thotë se interesimi i tyre për të blerë banesë ka nisur tash e tre vjet, por se çmimet e tyre kanë shkuar duke u rritur.

“Banesa ka sa të duash dhe ku të duash, por çmimi është i papërballueshëm për ne si familje 4-anëtarëshe”, thotë Shpresa për Radion Evropa e Lirë.

Ajo punon në një dyqan rrobash në Fushë Kosovë, ku paguhet 450 euro në muaj, ndërsa bashkëshorti i saj punon po ashtu në sektorin privat, me një pagë më të vogël.

“Më së shumti më dhimbsen paratë e qirasë, po humbin”, thotë ajo.

Vështirësi në sigurimin e një patundshmërie të tillë duket se kanë edhe qytetarë të tjerë të Kosovës, paga mesatare e të cilëve është rreth 520 euro në muaj.

Këtë e sugjerojnë të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), por e pohojnë edhe përfaqësuesit e kompanive ndërtimore.

Indeksi i Çmimeve të Pronës Banesore, i përpiluar nga ASK-ja, tregon se në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë shitur 1.628 banesa, krahasuar me 4.967 sa janë shitur në krejt vitin 2022 dhe me 6.561 në vitin 2021.

Komuna e goditur më së keqi është ajo e Gjilanit me mbi 90 mijë banorë, ku në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë shitur vetëm gjashtë banesa.

banesa shitje

Çka e shkaktoi këtë trend?

Inflacioni shihet si shkaktari kryesor i rënies së kërkesave për blerje të banesave. Ai ka marrë hov në fillim të vitit 2022, kur Rusia ka nisur pushtimin e plotë të Ukrainës, duke shkaktuar çrregullim në tregje.

Edhe pse këtë vit ka rënë, vitin e kaluar Kosova e ka përmbyllur me normë mesatare inflacioni rreth 12 për qind.

Inflacioni e ka shtrenjtuar materialin ndërtimor dhe, rrjedhimisht, çmimin e banesave, e në anën tjetër e ka zvogëluar fuqinë blerëse.

Sipas të dhënave të ASK-së, mesatarja e kostos së ndërtimit në vitin 2021 dhe 2022 ka shënuar rritje deri në 16 për qind krahasuar me vitin 2020.

Këtë vit, përkatësisht në tremujorin e tretë, kostoja e ndërtimit ka rënë për 1.6 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, tregojnë të dhënat e ASK-së, të publikuara më 8 dhjetor.

Por, ndërtimtarët me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, thonë se shumë objekte banesore janë ndërtuar me material që ka pasur çmim më të shtrenjtë dhe ato kanë mbetur pa u shitur.

/GazetaSinjali/