Po bëhen më shumë se tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlajmentare, e partitë politike ende nuk i kanë paguar gjobat e shqiptuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për shkeljet e Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore dhe thyerjes së heshtjes zgjedhore.
Në një përgjigje për Gazetën Sinjali, PZAP ka njoftuar se shuma e gjobave të papaguara të partive politike është 276 mijë e 300 euro nga 360 mijë sa është shuma e gjobave të shqiptuara.
Partitë e pakicave janë ato të cilat i kanë paguar gjobat, ndërkaq asnjëra nga partitë e mëdha, me theks të veçantë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës të cilat morën shumicën e votave dhe nuk kanë qenë në gjendje t’i paguajnë gjobat e shqiptuara për shkeljet gjatë dhe para zgjedhjeve.
Gjobat nuk i kanë paguar as partitë e tjera shqiptare, ndërkaq përjashtim të vogël bën Partia Demokratike e Kosovës, e cila e ka paguar një pjesë të shumës, por vazhdon t’i detyrohet PZAP-it edhe 55 mijë e 100 euro të cilat nuk i ka paguar ende.
“Për zgjedhjet e 6 tetorit 2019 PZAP-i ka shqiptuar gjoba ndaj subjekteve politike në shumë prej 360.000.00 euro. Subjektet politike deri më tani kanë paguar 83,700.00 euro gjobat dhe atë: Partia Demokratike e Kosovës nga 100,100.00 euro ka paguar 45,000.00 euro. Ende ka pa paguar edhe 55,100.00 euro. Lista Serbe i ka paguar të gjitha gjobat prej 36,500.00 euro. Partia e Goranëve i ka paguar në tërësi gjobat prej 1,100.00 euro. Partia Liberale Egjiptiane i ka paguar në tërësi gjobat prej 1,100.00 euro. Subjektet tjera nuk i kanë paguar gjobat”, thuhet në përgjigjen e PZAP-it.
PZAP thotë se po pret reflektimin e subjekteve politike që t’i paguajnë gjobat.
Shumë shpejt, PZAP do t’i paralajmërojë zyrtarisht partitë politike se do të inicojë procedurë të përmbarimit të këtyre gjobave përmes përmbaruesit privat, në rast se ato nuk i paguajnë gjobat në kohën e përcaktuar në paralajmërim.
“Në fillim të këtij vitit janar -shkurt do t’i paralajmërojmë që këto gjoba t’i paguajnë. Nëse edhe pas paralajmërimit nuk i paguajnë gjobat atëherë ndaj të gjitha subjekteve që nuk i paguajnë gjobat e tyre pas kalimit të afatit të përcaktuar në paralajmërim, PZAP-i do të iniciojë procedurën e përmbarimit të këtyre gjobave përmes përmbaruesit privat”, thekson PZAP. /Gazeta Sinjali/