Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi private, biznese, institucione financiare, që po shkaktojnë ankth e pasiguri e humbje të mëdha financiare. Të dyshuarit shpesh herë nuk hezitojnë që në pikë të ditës të hyjnë nëpër pikat që i kanë cak t’i vjedhin, raporton Gazeta Sinjali.
Me një rrezik të madh janë përballur së fundi punëtorët dhe pronari i një marketi në rrugën ‘Brigada 123’ në Suharekë, kur një person hyri dhe ua ndali punën në gjysmë.
Sinjali mëson se 29-vjeçari i cili është identifikuar, ka fyer dhe ka kërcënuar me fjalë të rënda pronarin e marketit, e më pas nga njëri prej punëtorëve ka arritur që të marrë një shumë të parave të gatshme.
Menjëherë pas kryerjes së veprës, i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur, ndërkohë që lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, teksa janë vënë në kërkim të të dyshuarit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë e kryer në mënyrë veçanërisht të vrazhdë’.