Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë pa leje, raporton Sinjali.
Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë rreth orës 20:30 në Skenderaj ku një veturë është ndalur për kontroll nga një njësi patrulluese në rrugën ‘Fadil Rrustemi’.
Sinjali mëson se gjatë kontrollit të automjetit, shoferit 24-vjeçar i është gjetur një armë zjarri me një karikator.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërsa arma është konfiskuar nga Policia.
Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.
Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“