Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë pa leje, raporton Sinjali.
Një rast i tillë është zbuluar së fundmi, në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë, ku një 19-vjeçar është ndaluar nga Policia, për shkak të dyshimit se i njëjti posedonte armë.
Sipas burimeve të Sinjalit, pas kontrollit që i është bërë të dyshuarit, tek i njëjti është gjetur një armë e ftohtë, boks i hekurit.
Për shkak të kësaj, 19-vjeçari është shoqëruar në stacionin policor për t’u investuar dhe ndaj tij janë iniciuar hetimet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.