Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Për një rast të tillë që ka ndodhur në rrugën “Fehmi Hajdari” në Lipjan, Prokuroria është vënë sot në dijeni, me ç’rast një person është arrestuar dhe ndaluar.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se i dyshuari, i moshës 23-vjeçare, ka kërcënuar një zyrtar policor (emër i njohur për redaksinë), derisa ishte duke patrulluar.
Ai po dyshohet se e kërcënoi policin pasi ky i fundit e kishte arrestuar vëllain e tij për posedim të substancave narkotike.
“E sheh ti, takohemi na”, dyshohet se ishin fjalët e të riut drejtuar policit, thotë burimi i Sinjalit.
Përballë kësaj situate, zyrtari policor e denoncoi rastin, ndërkohë që i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh, për veprën penale “kanosje ndaj personit zyrtar”.