Përpos shtëpive private, banesave, bizneseve e institucioneve të ndryshme të cilat janë cak i vazhdueshëm i hajnave, ata syrin e kanë edhe te veturat e qytetarëve. Edhe në raste kur nuk i marrin veturat në tërësi, i thyejnë ato me shpresë që do gjejnë dhe do marrin ndonjë gjë me vlerë, raporton Gazeta Sinjali.
Një i ri në komunën e Lipjanit mbrëmë ia mësyu që ta vjedh një veturë e cila ishte parkuar në rrugën ‘Xhavit Kozhani’. Por ai u kap në flagrancë nga pronari i Golf 2-shit, i cili e mbajti të dyshuarin në vendngjarje derisa intervenoi Policia.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 26-vjeçari është arrestuar dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit ai është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje e rëndë në tentativë’.