Dhuna ndaj vajzave dhe grave është një dukuri shqetësuese në vendin tonë. Vetëm gjatë këtij viti janë raportuar mbi 2 mijë raste të dhunës, teksa sipas institucioneve të Drejtësisë, vetëm 2 për qind e rasteve denoncohen në organet e rendit, raporton Gazeta Sinjali.
Për një rast të tillë që dyshohet të ketë ndodhur dje në Gjakovë, Prokuroria ka nisur hetimet.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se rastin në Polici e ka denoncuar një 43-vjeçare, e cila ka deklaruar se i dashuri i saj 22-vjeçar, ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj.
Bazuar në dëshminë e saj, e gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti verbal mes çiftit, ku i dyshuari më pas ka eskaluar në dhunë fizike duke e sulmuar viktimën dhe duke e goditur me një bisht fshese në kokë.
Si pasojë e dhunës së përjetuar, viktima ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërsa i dyshuari ka rënë në prangat e Policisë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe i njëjti të dërgohet në mbajtje për 48 orë.