Gazeta Sinjali ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjilan e cila u ngrit më 27 nëntor kundër komandantit të stacionit policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj dhe pesë zyrtarëve policorë: Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi, Milot Ukaj e Shaban Limanaj, të dyshuar për keqtrajtimin fizik të qytetarit me duar të lidhura brenda stacionit të Policisë të kësaj komune.
Në këtë dokument prej njëmbëdhjetë faqesh, përshkruhet në detaje sesi ka ndodhur rasti i datës 14 nëntor të vitit 2018, ku është dhunuar fizikisht në mënyrën më brutale nga uniformat e policisë së Kosovës, qytetari Muhamer Raifi nga Prishtina derisa ishte duarlidhur dhe nën kontroll të policisë.
Gazeta Sinjali kishte publikuar videon ekskluzive të keqtrajtimit të qytetarit duarlidhur.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Kristë Gjokaj duke qenë në pozitën e komandantit në stacionin policor në Gjakovë, ka keqtrajtuar të dëmtuarin Muhamer Raifi nga Prishtina, në objektin e stacionit përderisa ishte i arrestuar dhe i prangosur për shkak të dyshimit se kishte kryer dy vepra penale.
Komandanti Gjokaj i afrohet të dëmtuarit i cili ishte i ulur në karrige dhe e godet me grusht në fytyrë, me ç’rast e rrëzon në dysheme, ndërsa, të pandehurin e largon nga i dëmtuari, zyrtari policor Gjokë Gjidoda, thuhet në dokument.
Të pandehurit tjerë Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi e Milot Ukaj akuzohen se kishin keqtrajtuar të prangosurin me qëllim që t’i nxjerrin informacione për personat tjerë të përfshirë në kryerjen e veprave penale.
Aktakuza vënë në pah sulmin brutal dhe të përsëritur tri herë brenda gjysmë ore të të pandehurit, Milot Ukaj ndaj të prangosurit.
Në pretendimin e Prokurorisë thuhet se rreth orës 02.08 minuta, i pandehuri Milot Ukaj të dëmtuarit ia lëshon në sy dritën e baterisë dhe më pas fillon ta godasë me duar dhe këmbë, nga të cilat goditje i dëmtuari rrëzohet në dysheme, mirëpo ndërhyn zyrtari policor Ibër Elezaj dhe e largon të pandehurin nga i dëmtuari.
I pandehuri Ukaj përsëri rreth orës 02.32, serish vjen tek i dëmtuari të cilin derisa ishte me pranga e kap për fyti dhe e godet në mënyrë të vazhdueshme disa herë, përsëri e largon nga i dëmtuari zyrtari policor Ibër Elezaj por që prapë rreth orës 02.33 minuta i pandehuri e sulmon në të njëjtin vend të dëmtuarin i cili nga sulmi mbetet i shtrirë në tokë me fytyrë kah dyshemeja.
Ndërkaq rreth orës 02.36 min., tek i dëmtuari vjen i pandehuri Bekim Preqi dhe i njëjti bashkë me Milot Ukaj përsëri e godasin me grushta dore të dëmtuarin, kurse poashtu Bekimi e godet edhe me këmbën e djathtë disa herë në trup të dëmtuarin. Rreth orës 04.24, tek i dëmtuari përsëri vijnë të pandehurit Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi dhe Milot Ukaj, dhe me këtë rast i pandehuri Milot e kap për fyti të dëmtuarin e pastaj bashkërisht me Gëzimin e Agronin e godasin me grushta dore dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit në menyrë të vazhdueshme ndërkaq i dyshuari Milot e godet edhe me shqelm të dëmtuarin në organin gjenital, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, për shkak të të cilave dërgohet më vonë për ndihmë mjekësore.
I pandehuri i gjashtë Shaban Limanaj akuzohet për ’Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’’. Ai ngarkohet se duke qenë në pozitën e përgjegjësit në qendrën e ndalimit në Gjakovë, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare dhe u ka mundësuar të pandehurve Milot Ukaj, Gëzim Biblekaj dhe Agron Idrizi, të futen në qelinë ku ndodhej i dëmtuari i ndaluar dhe prangosur Muhamer Raifi nga Prishtina, që ta keqtrajtojnë duke e sulmuar fizikisht.
Lidhur me këtë rast, Prokuroria përveç të pandehurve dhe të dëmtuarit Muhamer Raifi ka intervistuar edhe 10 dëshmitarë ndërsa kërkon që gjatë shqyrtimit kryesor të lexohen dhe si prova të shtjellohen: raporti informues nga Inspektorati policor i Kosovës, fotoalbumi nga shkresat e lëndës, raporti mjekësor për tani të dëmtuarin Muhamer Raifi, 11 CD-video incizime të marra nga kamerat e stacionit policor në Gjakovë .
Prokuroria kërkon që të pandehurit t`i shpall fajtor për veprat penale të sipërshënuara.
Nëse vërtetohet fajësia ndaj tyre, zyrtarët policorë, përveçse do t’i humbin postet e tyre në Polici, rrezikojnë të marrin dënim me burgim disa vjeçarë.
Komandanti i stacionit policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj dhe katër nga pesë vartësit e tij, Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi dhe Milot Ukaj rrezikojnë të dënohen me burgim deri në tre (3) vjet. Ndërsa I pandehuri i gjashtë, Shaban Limanaj rrezikon të dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet./Gazeta Sinjali/