image I përzgjedhuri i pushtetit nis ekzekutimin e favoreve të para

Kosovë

I përzgjedhuri i pushtetit nis ekzekutimin e favoreve të para

news image

Një nga rastet e para të iniciuara nga Ylli Buleshkaj, drejtori i ri i Agjencisë Kundër Korrupsionit, dyshohet se paraqet ndëhyrje në favor të pushtetit aktual qeverisës.

Agjencia Kundër Korrupsionit, ka ngritur kallëzim penal kundër Blerim Isufajt, Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, kandidat për Kryeprokuror të Shtetit.

Denoncimi i AKK-së së drejtuar nga Buleshkaj, një njeri i përzgjedhur për drejtimin e agjencisë nga shumica qeverisëse e Lëvizjes Vetëvendosje, rezulton të jetë favori i parë i drejtorit të ri kundrejt pushtetit, raporton Paparaci.

Pushteti i LVV-së pretendohet se është kundër kandidaturës së Blerim Isufajt, kryeprokurorit special, për Kryeprokuror të Shtetit. Paparaci ka mësuar se pushteti është pozicionuar në përkrahje të Armend Hamitit, prokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Kësisoj, për llogari të pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje, AKK-ja e Buleshkajt denoncoi kundër-kandidatin e Hamitit për veprën penale raportimi i rremë i pasurisë.

“Agjencia kundër Korrupsionit ka përcjell kallëzim penal kundër Blerim Isufaj, vepra penale nga neni 430 paragrafi 2 i Kodit Penal të Kosovës, me datë 15.02.2022 në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit”, tha AKK-ja në një përgjigje për Betimin për Drejtësi të mërkurën.

Para se të zgjidhej drejtor i AKK-së, Buleshkaj kishte shërbyer si zyrtar në Zyrën për Regjistrimin e Partive Politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Në prag të zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit, kur Këshilli Gjyqësor i Kosovës kishte propozuar KQZ-së mos-certifikimin e kandidatëve të dënuar me vepra penale, zyra që asokohe drejtohej nga Buleshkaj kishte nxjerrë rekomandim të kundërt nga KGjK-ja.

Ai, i kishte rekomanduar përfaqësuesve të KQZ-së që të lejonin pjesëmarrjen në zgjedhje të kandidatëve të dënuar për vepra penale në tri vitet e fundit, në mesin e të cilëve ndodhej edhe Albin Kurti, sot shef i qeverisë, atëherë kandidat për kryeministër.

Këshilli Prokurorial i Kosovës më 15 shkurt 2022, ka miratuar listën e kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, në të cilën është edhe Blerim Isufaj, aktualisht Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale. Ai ishte edhe kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës.

/GazetaSinjali/