image "I panë personat e maskuar, kur shkoi njësia tjetër s’i gjeti policët"/ Zëdhënësi i Policisë jep detaje

Siguri

“I panë personat e maskuar, kur shkoi njësia tjetër s’i gjeti policët”/ Zëdhënësi i Policisë jep detaje

news image

Policia e Kosovës po mban konferencë të jashtëzakonshme për media pas kidnapimit të tre zyrtarëve kufitarë nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, në këtë konferencë të jashtëzakonshme për media ka treguar se si ndodhi kidnapimi i tre policëve nga policia serbe.

Ai tha se ata ishin zyrtarë policorë kufitarë që ishin të ngarkuar me detyrën për të parandaluar krimet.

Kelani tha se fillimisht ata i kishin parë disa persona të maskuar, për të cilët dyshohet se janë policët e njësisë speciale serbe që i rrëmbyen policët kosovarë.

“Fillimisht, njësiti policor në përbërje prej tre zyrtarëve kufitarë kanë parë që në afërsi në atë lokacion kanë lëvizur persona të dyshuar, të maskuar dhe të armatosur, e që dyshohet të kenë qenë forcat e njësiteve të armatosura të Serbisë. Menjëherë njësitë policore me njësitë tjera kanë shkuar me asistencë në atë lokacion ku me të arritur atje kanë vërejtur vetëm automjetin zyrtar dhe jo tre zyrtarët policorë kufitarë”.

Ai tha se përveç dërgimit në terren të njësive policore i kanë njoftuar mekanizmat ndërkombëtarë dhe KFOR-n që të behet presion që ata të kthehen.

“Ata janë paqeruajtës që zbatojnë ligjin, në shërbim të vendit dhe gjithë qytetarëve pa dallim. Janë prindër dhe fëmijët presin që të kthehen në shtëpitë e tyre”.

/GazetaSinjali/