Pasditen e djeshme, një 21-vjeçar është ther me thikë nga një i mitur në rrugën “Tirana” në Vushtrri, shkruan Gazeta Sinjali.
Si pasojë e kësaj therje, viktima është dërguar në Emergjencën e Vushtrrisë, ku më pas ka arritur edhe njësia e Policisë së Kosovës.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës njoftojnë se viktima tashmë është jashtë rrezikut për jetë.
21-vjeçari ka deklaruar para policëve se në afërsi të një lokali në rrugën “Tirana” është ther me thikë në kofshën e djathtë nga një 17-vjeçar me inicialet K.B.
Siç mëson Sinjali, deri te therja ka ndodhur pasi i dyshuari ka pasur para disa ditësh një mosmarrëveshje me shokun e viktimës.
I dyshuari ka rënë në prangat e Policisë, është intervistuar dhe me urdhër të prokurorit kujdestar është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa thika është konfiskuar dhe viktima pritet të intervistohet sot.