Më datë 20 të këtij muaji, në rrugën “Mursel Osmanaj”, në Prizren, përderisa një 27-vjeçar ishte duke ecur në parkun e qytetit, atij i është afruar një person, i moshës së mitur, i cili në mënyrë të dhunshme ka marrë nga ai orën e dorës dhe një telefon mobil, raporton Gazeta Sinjali.
Viktima kishte tentuar që t’ia merrte gjësendet e tij nga duart e të dyshuarit, mirëpo më pas ai ka nxjerrë një armë dhe ia ka drejtuar viktimës, çka edhe e ka shtyer 27-vjeçarin që të tërhiqet dhe të lejojë arratisjen e të dyshuarit nga vendi i ngjarjes.
Ndonëse ende i terrorizuar nga ajo që i kishte ndodhur, viktima e kishte njoftuar policinë dhe këta të fundit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se kontakti i parë në mes të policisë dhe të dyshuarit ka qenë në terasën e një lokalit, i cili ishte joaktiv, ku i dyshuari vërehej se ishte ulur, por sapo ka vërejtuar se po ndiqej nga policia, ai ka filluar të ikë me vrap dhe derisa po ikte, nga trupi i tij i kishte rënë një pistoletë lodër, e cila është sekuestruar nga Policia.
Pasi që zyrtarët policorë vrapuan pas tij rreth 300 metra, i dyshuari arriti që edhe njëherë të arratiset, mirëpo kjo nuk i ka ndaluar zyrtarët policorë që të vazhdojnë hetimet lidhur me rastin. Nga prokurori i shtetit është urdhëruar që ky rast të iniciohet si “Vjedhje e rëndë në mënyrë të vrazhdë”.
Pas një pune hetimore disa ditore, Sinjali mëson se është siguruar informacion se i dyshuari që kishte vjedhur në mënyrë të vrazhdë nga 27-vjeçari ditën e shtunë, nuk ishte duke punuar vetëm, por në bashkëpunim me një tjetër.
Sinjalizuesit e Gazetës Sinjali njoftojnë se të dy të dyshuarit janë të moshës së mitur, ashtu që njëri është 13-vjeç dhe tjetri 14-vjeç.
Për shkak se sipas ligjit në fuqi, personat nën moshën 14-vjeç nuk kanë përgjegjësi penale, kjo ka shkaktuar që nga njëri prej të dyshuarve të merret vetëm deklaratë me shkrim në cilësi të dëshmitarit, në prani të punëtores së QPS.
Sinjali mëson se nga deklarata e të miturit është zbuluar në mënyrë të detajuar se si ka ndodhur rasti dhe se pistoleta lodër e gjetur në vendin e ngjarjes ka qenë e 13-vjeçarit.
Ndër të tjera, ai ka treguar se gjërat e vjedhura ia ka shitur një personi të cilin ai e njeh.
Nga përmbajtja e deklaratës së 13-vjeçarit është zbuluar edhe identiteti i bashkëpunëtorit të tij 14-vjeçar, prezenca e të cilit është siguruar dhe i njëjti është intervistuar në prani të prindit dhe mbrojtësit, konform procedurave ligjore.
Burimet e Sinjalit njoftojnë se 14-vjeçari ka pranuar pa hezitim se ka kryer të gjitha veprimet për të cilat dyshohej.
Prokurori i shtetit pas intervistimit të 14-vjeçarit, kundër të njëjtit ka nxjerrë urdhër për ndalim policor për 24-orë.