Më 7 dhjetor të vitit të kaluar një arsimtar nga Mamusha po dyshohet se ka rrahur katër nxënës në një shkollë fillore.
Për këtë rast Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditëve.
Adem Koç u arrestua ditën e 24 shkurtit për shkak se dyshohet se ka përdorur dhunë fizike ndaj nxënësve të klasës së gjashtë.
Lidhur me këtë rast Sinjali ka kontaktuar arsimtarin për të marrë versionin e tij. Ai s’është pajtuar me masën e caktuar ndaj tij teksa ka shtuar se i ka “rrahur pak” nxënësit “Shumë pak me pjesën e pasme të dorës”.
Sipas tij në këtë rast ka gisht kryetari Abdulhadi Krasniç, të cilin e akuzon se i ka shtyrë nxënësit të ankohen, pasi që sipas tij ata nuk ishin ankuar fillimisht.
Ai madje thotë se ka shumë mësimdhënës që sillen shumë më ashpër se sa ai.
“Ka mësimdhënës që sillen shumë më ashpër se unë, por ata ia bëjnë ‘aminin’ dhe në atë formë ai ua fal të gjitha gabimet, ndërsa me mua po sillet sikur ai të ishte Rusia, e sikur unë të isha Ukraina”, tha Koç.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe me kryetarin e Komunës së Mamushës, për të marrë një deklaratë në lidhje me akuzat e arsimtarit që janë bërë ndaj tij mirëpo nuk ishte i qasshëm.
Nga Gjykata Themelore në Prizren, kanë bërë të ditur për Gazetën Sinjali se Koç dyshohet që i ka goditur fuqishëm nxënësit me shuplaka në fytyrë dhe ndaj tij është caktuar masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditëve, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
“Me datë 07.12.2021 gjatë orarit të mësimit, në shkollën fillore të Mamushës, i pandehuri A.K., në cilësi të personit zyrtar – arsimtar i edukatës fizike, duke keqpërdorur detyrën apo autorizimet e tij, me dashje e keqtrajton fizikisht dhe fyen rëndë dinjitetin e të dëmtuarve – fëmijëve katër (4) nxënës, ashtu që i pandehuri i godet fuqishëm me shuplaka në fytyrë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Prizrenit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata