image I dyshuari u dorëzua në Polici e sëpata u gjet në vendin e krimit - Krejt çka dihet për vrasjen e arsimtares në Prishtinë

Siguri

I dyshuari u dorëzua në Polici e sëpata u gjet në vendin e krimit – Krejt çka dihet për vrasjen e arsimtares në Prishtinë

news image

Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Kundër Grave, kryeqyteti dhe e gjithë Kosova u trondit nga lajmi i trishtë për vrasjen makabre të mësimdhënëses së gjeografisë dhe historisë në shkollën fillore të mesme të ulët ‘Dardania’ në Prishtinë, Sadije Godeni. Ajo dyshohet se u vra mizorisht nga bashkëshorti i saj, Izet Godeni. Gazeta Sinjali që nga mëngjesi ka raportuar në detaje lidhur me rastin i cili ka tronditur të gjithë.

Në orët e pas mesnatës, një mosmarrëveshje mes çiftit Godeni kishte eskaluar në sulm fizik ndaj 63-vjeçares. Bashkëshorti, Izeti, dyshohet se me anë të goditjeve me një sëpatë i ka shkaktuar plagë fatale viktimës, duke e lënë atë të vdekur.

Pas kryerjes së aktit çnjerëzor, ka qenë vetë Izeti ai i cili është paraqitur në stacion policor dhe ka njoftuar Policinë se ka vrarë bashkëshorten e tij.

Sipas Policisë së Kosovës, njësitë policore bashkë me ekipin mjekësor kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes në rrugën ‘Mark Isaku’, ku kanë gjetur trupin e pajetë të 63-vjeçares.

E për ngjarjen e rëndë, detaje ka dhënë edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku përmes një komunikate për media ka bërë me dije se sëpata është gjetur në vendin e ngjarjes dhe e njëjta është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit, Izet Godeni, t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje e rëndë’.

Sipas Prokurorisë, motivi i vrasjes s’dihet ende. Prokuroria ka thënë se do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Vdekja tragjike e arsimtares Sadije ka tronditur kolegët dhe nxënësit e saj në shkollën ‘Dardania’, të cilët në nderim të saj sot kanë ndërprerë procesin mësimor.

Sinjali ka qëndruar në shkollën ‘Dardania’ paraditen e sotme, ku ka kontaktuar edhe me drejtorin, Isak Bregaj, i cili ka pohuar se arsimtarja Sadije ka qenë punëtore dhe nuk kanë pasur asnjëherë problem me të.

Bregaj tha se gjatë ditës së djeshme, 63-vjeçarja ka mbajtur mësim si zakonisht dhe mungesa e saj mëngjesin e sotëm, e ka habitur.

Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/