Gazeta Sinjali raportoi sonte për një incident në lagjen Kurrill në Prizren, ku një person u ther me thikë dhe për pasojë mori lëndime të rënda trupore. I njëjti u dërgua në spital në gjendje serioze, teksa i dyshuari ende nuk është kapur.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se Policia tashmë ka identifikuar personin e dyshuar, i cili ndodhet në arrati, pasi akoma nuk është arrestuar.
Derisa Policia ka nisur kërkimet për ta kapur të njëjtin, viktima po trajtohet në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku do t’i nënshtrohet operacionit, për shkak të plagëve që ka marrë nga goditja me thikë.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
“Ngjarja ka ndodhur në orën 19:30, Polica ka marrë informacion se një person është lënduar rëndë me mjet të mprehtë, me thikë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe janë marrë me rastin, një patrullë ka shkuar në spital. Viktima është në gjendje të rëndë, lëndimet janë të rënda për shkak se ka humbur gjak, ka pasur plagë në pjesë të qafës”.